Italia 240 mln euro investime, ambasadori Bucci: Mbështesim gjithë procesin pas hapjes së negociatave
Mbi 240 milionë euro ka investuar qeveria italiane në Shqipëri përgjatë vitit 2021.
Ambasadori Fabrizo Bucci tha se Italia do të vijojë mbështetjen konkrete edhe pas hapjes së negociatave për të cilat tha se Shqipëria do të marrë përgjigje pozitive të martën.
"Jemi në prag të një dite historike. Të martën është konferenca e parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave. Tani fillon loja, deri tani kemi bërë nxemje. Nga nesër e në vazhdim do ta mbështesim këtë proces me ndihma konkrete," tha ai.
Ministrja Mirela Kumbaro tha se çelja e negociatave do të sjellë sfida të reja për Shqipërinë.
"Kemi gati tre vite që e vëmë gjellën në zjarr e heqim prapë, e fusim në frigorifer. E vëmë prap në zjarr që ta ngorhim e ta hamë dhe themi jo s'do ta hamë sot dhe e fusim prap në frigorifer. Tani më në fund shpresojmë që ajo nxehja sportive që themi ne erdhi në kohën e duhur që të mos digjemi. Kështu që sfida të reja na presin dhe në këtë kornizë të re europiane," tha ajo.
Shteti i të drejtës, mjedisi, turizmi dhe inovacioni mbeten prioritet i investimeve të qeverisë italiane në vendin tonë.
“Strategjia e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor ka dy elementë kryesorë që janë dy anët e së njëjtës medalje. I pari, mbrojtja dhe vlerësimi i identiteteve lokale në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor.
I dyti, promovimi i diversiteteve si burim pasurie, shkëmbimet paqësore mes bashkësive dhe vlerat thelbësore evropiane të të drejtave dhe të respektimit të njeriut," tha Përfaqësuesja e Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim në Ballkanin Perëndimor, Stefania Vizzaccaro:
Investimet e qeverisë italiane në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë kapin vlerën e 260 mln euro.