Koncesioni “i artë” i sterilizimit, procedura i kushtoi Shqipërisë më shumë sesa parashikohej
Tepër e kushtueshme dhe pa një vlerë fikse. Kjo ka rezultuar nga kontrata e koncesionit të sterilizimit për të cilën buxheti i shtetit ka paguar në pesë vitet e para mbi 57 për qind të vlerës së investimit. Koncesioni është shoqëruar me debate për shkak të mungesës së vlerës fikse, që varion nga 12 deri në 16 miliardë lekë, por edhe për shkak të ndikimit që pati në uljen e numrit të operacioneve dhe rinegocimin e kontratës në vitin 2020 për shkak të tarifave tepër të larta.
Koncesioni i sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale në spitalet publike u zhvillua gjashtë vjet më parë ndërkohë që kohëzgjatja e kontratës është 10-vjeçatre.
Deri në vitin 2021, buxheti i shtetit ka paguar kompaninë Sani Servis me 7.1 miliardë lekë, ose 57% të vlerës së rishikuar të kontratës prej 12,3 miliardë lekësh.
Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se kontrata nisi të përfitojë pagesa që në vitin 2017, teksa deri në fund të 2021, buxheti i shtetit e ka paguar këtë shërbim me 57 milionë euro.
Pagesat ndaj kompanisë deri më tani e kanë kaluar me 4.7 herë vlerën e investimit prej 1,5 miliardë lekësh të publikuar në kontratë.
Vlera reale e kontratës mbetet e hapur për shkak se pagesat bëhen pas çdo ndërhyrje kirurgjikale, pasi në momentin e nënshkrimit të kontratës nuk u parashikua saktë ecuria e numrit të operacioneve vit pas viti. Për këtë arsye pagesat ndaj kompanisë rezultuan shumë të larta se vlerësimet fillestare prej 9.6 miliardë lekësh.
Ministria e Financave, në vitin 2021, raportoi se vlera e plotë e kontratës së koncesionit të sterilizimit është 12.3 miliardë lekë, por në projektbuxhetin e vitit 2020 financat bashkë çuan në Kuvend një tabelë ku thuhej se, vlera e plotë e kontratës së sterilizimit është 16 miliardë lekë.
Koncesionit ka në objekt menaxhimin e qendrës së sterilizimit, ofrimin e instrumenteve kirurgjikale sterile sipas setit të personalizuar, veshjet në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve mjekësore me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale ku do të ofrohet ky shërbim.
Projekti shtrihet në të gjitha spitalet universitare, rajonale dhe spitalet bashkiakë. Për vitin 2020 janë realizuar 44,956 ndërhyrje, ose rreth 96% e planit vjetor të parashikuar (47,000 ndërhyrje – referuar planit të ndryshuar) pa përfshirë paketimet me avull, që për të njëjtën periudhë janë 59,461 të tilla.
Ulja e numrit të ndërhyrjeve për vitin 2020, ka ardhur si pasojë e kufizimit të ndërhyrjeve të planifikuara gjatë muajve mars-prill 2020 për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Për shkak të tejkalimit të pagesave të parashikuara gjatë vitit 2019, për këtë kontratë koncesioni u materializua risku i rinegocimit, proces i cili u finalizua në vitin 2020.
Palët ranë dakord se për të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale dhe obstetri-gjinekologji të kryera në strukturat spitalore që do të tejkalojnë kufirin e 63,000 ndërhyrjeve në vit, do të aplikohet një zbritje e barabartë me 25% të çmimit.
