Bie AKSHI, shtyhen regjistrimet, MAS: Shkak i shtyrjes sulmi kibernetik ndaj e-Albania
Ministria e Arsimit shtyu pa afat regjistrimet në klasat e para dhe të dhjeta për shkak të sulmit klibernetik që ka nxjerrë jashtë përdorimit platformën e-albania. Ndërkaq qeveria shqiptare reagoi me një deklaratë ku theksoi se sulmi i cili ka nisur mesditën e 15 korrikut, po hetohet ndërkohë që të dhënat e sistemeve qeveritare janë të kopjuara dhe të paprekura.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që të shtyjë pa afat regjistrimet në klasa të para dhe të dhjeta pas mbylljes së detyrueshme të shërbimeve publike të platformës e-Albania nga ana e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për shkak të sulmit kibernetik.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi bëri të ditur se për shkak të sulmit kibernetik ndaj platformës e-Albania, e cila ndikon edhe procesin e regjistrimit për nxënësit në klasa të para dhe të dhjeta, ka vendosur që afatin e regjistrimeve ta shtyjë deri në një datë të pacaktuar.
Ndërkaq, qeveria shqiptare reagoi me një deklaratë për ndërprerjen e shërbimeve online duke theksuar se sulmi kibernetik kompleks dhe në shkallë të gjerë u konstatua mesditën e të premtes më 15 korrik.
Në deklaratë, thuhet se menjëherë, duke ndjekur protokollet e reagimit, u krye izolimi i infrastrukturave dhe sistemeve qeveritare për të garantuar mbrojtjen e të dhënave.
Sipas qeverisë shqiptare metodat mbi të cilat aktorët keqbërës kanë vepruar janë të ngjashme me sulmet e vitit të fundit, të vëna re në hapësirën kibernetike ndërkombëtare.
Kryeministria theksoi se këto metoda maskohen fillimisht me sulme të tipit Ransomvvare, me anë të të cilave keqbërësit kërkojnë të largojnë vëmendjen nga qëllimi real, që është sulmi ndaj sistemeve kritike.
Hapi i dytë i këtij sulmi të përqendruar dhe sofistikuar është goditja në sistemet kritike digjitale të shtetit shqiptar për t’i nxjerrë jashtë funksionit.
Në deklaratë thuhet se detektimi dhe përgjigja e shpejtë ndaj këtyre sulmeve bëri që sistemet qeveritare të dalin të paprekura.
Që në momentet e para të evidentimit të këtij sulmi, sipas njoftimit, AKSHI është duke bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët tanë të Microsoft nëpërmjet ekspertëve të tyre më të mirë kibernetikë të Detektimit dhe Përgjigjes ndaj Incidenteve (DART team).
Gjithashtu ekspertët e “JonesGroupInternational” kanë ardhur në Shqipëri, për trajtimin e situatës dhe kthimin sa më shpejt në normalitet.
Qeveria garanton se sistemet qeveritare kanë të gjitha back-up dhe janë të sigurta ndërkohë që autoritetet janë duke verifikuar sistem pas sistemi, përpara se shërbimet të kthehen sërish online dhe në funksionalitet të plotë.
Këshilli i ministrave siguron të gjithë qytetarët se të dhënat e sistemeve të informacionit të shërbimeve qeveritare janë të sigurta dhe të paprekura.
