“Retro” në funksion të së ardhmes/ Fansat e mjeteve të vjetra në Mal të Zi promovojnë fshatrat e shqiptarëve
Pronarët dhe fansat e makinave Retro që jetojnë në Ulqin të Malit të Zi u mblodhën në fshatin Sukobinë, në një takim që synon të promovojë zonën kufitare me fshatra ku banojnë shqiptarë.
Pak kilometra larg kufirit me Shqipërinë, në Sukobinë të Malit të Zi u ekspozuan automjetet e epokës, apo siç njihen ndryshe “Retro”.
Nga 200 të tilla në Mal të Zi, 80 gjenden vetëm në Ulqin dhe organizatorët zgjodhën ti ekspozojnë në fshat.
"Këtu marrin pjesë vetëm makinat që janë të klubit të Ultemerëve të Ulqinit, nga krejt Mali i Zi," tha organizatori i eventit Dasho Dragaj.
Një Fiat Topolino, i vitit 1960, dhe Lançia e Volvo e prodhuar në vitin 1959 ishin makinat që tërhoqën vëmendjen pasi janë të rralla.
“Kjo Volvo është e prodhuar në vitin 1959. Çdo gjë është origjinale, vështirësia më e madhe ka qenë gjetja e baterisë, pasi ka një bateri prej 6 volt. Kur e kam blerë kam kryer disa punime në të për ta kthyer në gjendjen që ka sot,” tha Valentin Margjokiq, një pjesëmarrës.
Janë të veçanta dhe të kushtueshme, ndaj kërkojnë kujdes të veçantë.
Pronarët i krahasojnë me fëmijët e vegjël.
“Kam udhëtuar nga Tivari i Malit të Zi deri në Stamboll janë rreth 2400 km vajtje ardhje, dhe nuk më ka shfaqur asnjë defekt. Duhet kujdes si për një bebe të vogël. Unë minimalisht dy herë në muaj e nxjerr në xhiro, pasi vjetërsia që ka dhe mos përdorimi shkaktojnë edhe dëmtime," tha Valentin Margjokiq.
Panairi në pjesën malazeze të Anës së Malit, synon të promovojë zonën dhe pse jo të kthehen sytë e vëmendja edhe tek fshatrat shqiptar matan kufirit.
"Shpejt ka me dashtë zoti që mes Shqipërisë dhe Kosovës ky kufi të hiqet. Mos të ketë fare kufi këtu. Besoj dhe shpresoj për bashkëpunim dhe shëkmbim me njëri-tjetrin," tha ai.
