Çollaku: Sistemi është kapur, nëse do hetohej incineratori i Tiranës, Veliaj do ishte i pandehur

Gazetari Basir Çollaku, aferën e incineratorëve e ka konsideruar si skemë piramidale që është e lidhur me ngjarjet të tjera financiare e investime.

Në një intervistë për Ora News, Çollaku tha se nëse do të hetohej incineratori i Tiranës , Kryebashkiaku Erion Veliaj do të ishte sot i pandehur.

Basir Çollaku: Vjedhja ka 5 vite që ka nisur, që nga viti  2017, vazhdon, nuk është ndaluar ende.  Është një skemë piramidale që është lidhur edhe me ngjarje të tjera financiare, investimesh. Ky vetëm merr para. Është një organizatë kriminale, kemi një deputet në qeli. Kur ke 10 zyrtarë në qeli dhe dyfishin e tjerëve në hetim, këtu kemi një organizatë kriminale, gjysma e së cilës është në institucione. A e rrezikojnë këta hetimin, sigurisht që po.

Përse prokurorët  e nderuar të SPAK kanë frikë të hetojnë Erion Veliajn. Pse nuk shkohet te incinerator i Tiranës. Nëse ky incinerator do të ishte hetuar, Veliaj sot do të ishte i pandehur e nuk do ishte në zyrë. Nëse nuk hetohet incinerator i Tiranës nuk është hetuar asgjë.

Më tej ai ka thënë se SPAK nuk ka bërë ato që prisnim.

Basir Çollaku: Ne jemi në Top listën e pastrimit të parave. Këto gjysma miliarda euro që dalin nga buxheti, nga financat publike, në fund ku përfundojnë. Prokuroria  ka bërë shumë herë më pak sesa pritej, se sa duhej.  Këtu sistemi është kapur, zinxhiri hetimor ka rënë.

Rezultatet në këto vite hetimi për ngjarje të mëdha  në tagrin që ka SPAK nuk janë ato që duhet dhe ato që prisnim.

Përsa i përket amnistisë fiskale, Çollaku tha se Kryeministri Rama është i gatshëm të bëjë çdo gjë për para.

Basir Çollaku: Edi Rama bën çdo gjë për para. Ka nevojë urgjente dhe ulëritëse për para.  Rama nuk pyet se çfarë ngjyre e çfarë boje ka paraja që merr. Atij i duhet paraja ta fus ta vërë atje e ta menaxhojë.  Kjo është edhe pjesë e parasë publike që është vjedhur, pikërisht nga ekipi i Ramës. Kjo para do të gjejë mënyrë dhe formulën nëpërmjet amnistisë për t’u formalizuar. Kemi dhe zgjedhjet vendore përpara, kjo është një hallkë e re elektorale, është duke përgatitur edhe çunat e rinj problematik për vitin 2023.