Ndryshimet në kodin rrugor, Gështenja: Propozimet duhet të vijnë nga ekspertët, jo arnime për show
Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla, prezantoi sot në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisi projektligjin për ndryshimet në Kodin Rrugor të cilat nuk gjetën mbështetjen e opozitës.
Deputeti, Lefter Gështenja, i ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, thotë se ndryshimet në kodin rrugor duhet të vinë nga ekspertët e fushës dhe jo të bëhen arnime kohë pas kohe.
Lefter Gështenja: Kodi rrugor ka ndryshuar herë pas here. Dhe pse duhet miratuar me 84 vota, ndryshimi prek vetëm disa pjesë. Nuk duhen bërë propozime për show. Është marrë pjesërisht modeli gjerman, pjesërisht ai italian. Duhet të marrim një model që përshtatet me gjithë parametrat. Nëse kodi rrugor ka vërtet nevojë për ndërhyrje sëpari duhet të ulen ekspertët e sigurisë rrugore, duhet marrë mendimi i tyre. Nëse vjen si propozim i tyre patjetër jam gati. Kjo ishte iniciativë për show. Kodi nuk ka nevojë për arnime, ta ndryshojmë njëherë e mirë. Nuk mund të jap konsensus për diçka që nuk jam i bindur.
Në projektligjin e mazhorancës është propozuar zgjatja e afatit të patentave nga 10 deri në 15 vite.
Po ashtu, është menduar kufizimi i shpejtësisë për shoferët e rinj në tre vitet e para që nga marrja e lejes së drejtimit.
