Moti i keq rrezikoi dy të miturit me gomone në plazhin e Livadhes, shpëtohen nga policia
Shpëtohen dy të mitur në plazhin e Livadhes në Himarë. Patrulla e plazhit në Livadh, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Himarës, u vjen në ndihmë 2 shtetasve të mitur, të cilëve iu rrezikua jeta, për shkak të dallgëve të larta të detit.
Gjatë patrullimit të zonës së plazhit, nga shërbimet e planëzuara në plazhe, nga Komisariati i Policisë Himarë, si dhe ato të Policisë Kufitare është marrë njoftim nga salla operative për dy shtetas të mitur që ishin futur në det me një gomone plazhi, të cilëve, për shkak të dallgëve të larta të detit, po iu rrezikohej jeta dhe e kishin të pamundur të ktheheshin në breg.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit janë organizuar shërbimet, për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve.
Shërbimet e Policisë i kanë nxjerrë në breg, në gjendje të mirë shëndetësore 2 fëmijët, të moshës 13-vjeçare, të cilët iu janë bashkuar familjarëve të tyre.

