Instruktorët e parë të gjuhës së shenjave, diplomohen 5 të rinj, do të trajnojnë personat që nuk dëgjojnë
Për herë të parë Shqipëria do të ketë instruktorë të gjuhës së shenjave shqipe. 5 të rinjtë e diplomuar në këtë profesion do të shërbejnë për trajnimin e personave që nuk dëgjojnë, mësuesve dhe prindërve.
Është lumturia e Françeskës shprehur përmes gjuhës së shenjave në ditën e saj të diplomimit.
“Jam shumë e emocionuar dhe shumë e lumtur. Më përpara nuk do e kisha menduar asnjëherë që kjo do të ndodhte”.
Ajo është një nga pesë instruktorët e parë në Shqipëri të gjuhës së shenjave.
Ky do të jetë profesioni i saj.
“Kam shumë vite që kam përfunduar arsimin 9-vjeçar dhe nuk kam patur mundësi për të shkuar në shkollë të mesme, falë këtij kursi unë sot kam një profesion”.
Edhe pse sot më e sigurt ka merak të ardhmen.
“Çfarë do ndodhë nesër? Kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë ne. Ne jemi njerëz që nuk dëgjojmë por që promovojmë vlerat tona, kulturën dhe aftësinë tonë”.
Pas një trajnimi intensiv që zgjati 8 muaj u certifikuan si instruktorë të gjuhës së shenjave shqipe edhe Sadetja, Aldi, Doriani dhe Ernisa.
“Kam patur shumë dëshirë të ndiqja shkollën e mesme dhe ëndërra ime ka qënë të isha mësues. U lumturova që u përzogjodha pas shumë aplikimesh dhe dua të trajnojmë në të ardhmen shumë interpret të gjuhës shqipe”.
Florjan Rojba, drejtues i Shoqatës Kombëtare Shqiptare të Njerëzve që nuk dëgjojnë tha se instruktorët do t`ju vijnë në ndihmë personave të tjerë të këtij komuniteti të cilët ende hasin vështirësi në edukim e punësim.
“Instruktorët e gjuhës së shenjave shqipe janë një kapacitet, i cili do të përdoret në të ardhmen për trajnimin e prindërve mësuesve dhe trajnimin e interpretëve të gjuhës së shenjave shqipe një shërbim i munguar në Shqipëri. Ky profesion ka dalë si nevojë shumë e madhe pasi njerëzit që nuk dëgjojnë kanë vështirësi në edukim e punësim".
Në Shqipëri sipas të dhënave të INSTAT janë rreth 6 mijë persona të cilët nuk mund të flasin e dëgjojnë.
