Manja "kërcënon" avokatët: Do i drejtohem Kuvendit për të kufizuar të drejtën për bojkot

Diskutimet në Komisionin e Ligjeve kanë agravuar në debate mes palëve, pasi ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka paralajmëruar ndryshime në ligj për të kufizuar të drejtën e avokatëve për bojkot. Akuzat e Ministrit kanë sjellë edhe reagimin e menjëhershëm të deputetëve të opozitës.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka paralajmëruar avokatët të ndalojnë bojkotin i cili ka nisur prej katër javësh.

Ai deklaroi se shumë shpejt do ti drejtohet Kuvendit me nje draft për të kufizuar të drejtën e grevës, njësoj si më herët është vepruar me magjistratët.

Manja: Sa për protestën, grevë, nuk e di si ja kanë vënë emrin. Funksionimi i sistemit të drejtësisë, avokati ka rol kyç. Nuk funksionon procesi pa avokatin, prandaj kur u bë reforma në drejtësi, magjistratit iu kufizua e drejta për bojkot. Avokatët e kanë të kufizuar të drejtën për grevë pavarësisht se janë të vetë organizuar. E drejta e grevës është e kufizuar edhe për avokatët. Shumë shpejt do i drejtohem Kuvendit për të kufizuar të drejtën.

Ministri i Drejtesise akuzoi avokatët se shfuqizuan të drejtën për ndihmë juridike falas për qytetarët në nevojë, deklaratë e cila solli reagimin e deputetëve të opozitës.

Bardhi: A ka mundësi se nuk kemi ardhur të dëgjojmë kërcënime.

Bushka: Nuk jemi në kor këtu.

Çupi: Nuk jemi në riedukim.

Bushka: Atëherë silluni sikur nuk jeni në kafe. Nëse doni ta ktheni në kor unë e mbyll. Do të pushoni apo ta mbyll mbledhjen? Do ta ndërpres mbledhjen nëse nuk merrni masa për të garantuar qetësinë.

Gjithashtu Ministri i Drejtësisë ka bërë me dije se shumë shpejt disa seanca gjyqësore do të zhvillohen online.

Ai tha se nisur nga stoku i dosjeve në gjykata, palët do t’i drejtohen seancave gjyqësore pa qenë të pranishëm fizikisht.