Parcela me 20 rrënjë kanabis/ Asgjesohen 4200 bimë narkotike në Shosh e Shalë të Shkodrës
Parcela të vogla me nga 15 deri në 20 rrënjë.
Kjo është mënyra si po kultivohen kanabisi në malet e të Pultit e Shalës në Bashkinë e Shkodrës.
Prej më shumë se 48 orësh atje vijon një operacion masiv i policisë së Shtetit për zbulimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike.
Janë angazhuar 250 efektivë policie të mbështetur nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të cilët po përdorin dronë, GPS dhe pajisje të tjera.
Deri më tani janë kontrolluar 85 koordinata të evidentuara nga monitorimi I fundit ajror i Guardia Di Finanza dhe kontrolli me dronët e Policisë së Shkodrës.
Rreth 4200 bimë kanabis sativa janë asgjësuar me djegie, sipas të dhënave zyrtare të Policisë.
Por kultivuesit e bimëve narkotike deri më tani mbeten të lirë.
Policia dhe prokuroria e Shkodrës thonë se po punojnë bashkë për ti identifikuar dhe më pas vënë në pranga.
Para se të ngjiteshin maleve në kërkim të parcelave të drogës, përgjegjësit e grupeve morën porositë nga Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Albert Dervishaj.
Ai u kërkoi që të tregojnë kujdes, të marrin masa sigurie për efektivët dhe nëpërmjet koordinatave të verifikohen të gjitha vendet ku ka dyshime që mund të jenë kultivuar bimë narkotike.
Pulti e Shala dhe zona të tjera malore në qarkun e Shkodrës ndër vite kanë qenë të preferuara nga kultivuesit e bimëve narkotike.
