Cannabisi “biznes” familjar. Vetëm sot dy raste ku babë e bir kultivonin bimë narkotike bashkë
At e bir ishin bërë bashkë dhe kultivimi i bimëve narkotike ishte kthyer në biznes të familjes.
Bardhok dhe Armando Lleshi, përkatësisht 49 dhe 20 vjeç kishin hapur një parcelë toke në mes të pyllit në Blinisht të Mirditës.
Aty rrisnin cannabis sativa. Disa rrënjë në vazo e të tjera të mbjellja në tokë.
Siç tregojnë këto pamjet, bimët ishin në fazë të avancuar. Për tu bërë shërbimet dhe për ti mbrojtur qëndronin në këtë kasolle.
Por veprimtaria ishte zbuluar. Bardhok dhe Armando Lleshi përfunduan në pranga në kushtet e flagrancës dhe bimët narkotike u asgjësuan me djegie.
Skemë identike edhe në Tropojë.
Ndue Ndoja, 53 vjeç dhe i biri Amarildo 19 vjeçar kultivonin kanabis sativa në fshatin Palç. Bimët narkotike i kishin mbjellë në n jë zonë të pyllëzuar të fshatit.
Policia thotë se kishte informacion dhe për rreth një muaj i mbajti nën vëzhgim.
Këtë të mërkurë, babë e bir u vunë në pranga. Parcela e kanabisit në mal u kushtoi edhe kryetarit të Fshatit Palç dhe inspektorit të pyjëve në zonë.
Të dy u cuan për hetim në gjendje të lirë, pasi akuzohen se nuk e denoncuan.
Ndërsa kjo parcelë drogë në Krastë të Krujës, u zbulua rastësist nga policia që i ishte vënë në ndjekje një të dyshuari për armëmbajtje.
Blutë po monitoronin me dronë lëvizjet e 24 vjecarit Haxhi Stafuka, i cili u coi tek parcela e drogës që kultivonte Klodjan Skota, me të cilin kishte lidhje shoqërore.
Operacionet e policisë së Shtetit nga jugu në veri kanë konfirmuar se parcelat e vogla në zona të pyllëzuara janë mënyra kryesore e kultivimit të bimëve narkotike.


