Morinë, kapet 33 vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar, do të ekstradohet në Mal të Zi

Një person është kapur në pikën kufitare të Morinës  me qëllim ekstradimi drejt Mali të Zi, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale "Shkelje e ligjit të narkotikëve".

"Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar Aleksandar Vukicevic, 33 vjeç, banues në Podgoricë, Mali i Zi.

Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga NCB Podgorica, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Podgoricë e ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, për veprën penale "Shkelje e ligjit të narkotikëve",  parashikuar nga legjislacioni penal i Malit të Zi," njofton policia.

Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Malit të Zi.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet malazeze, po vijon procedurat për esktradimin e këtij shtetasi.