Vathi: Fluks turistësh nga Evropa Perëndimore, mungesa e rusëve e ukrainasve e pandjeshme. Vendet më të vizituara
Kryetari i Shoqatës së Tur-Operatorëve, Besnik Vathi, është shprehur se numri më i madh i turistëve në vendin tonë është gjatë stinës së Verës.
Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Arnold Kariqi, Vathi tha se këtë vit do të ketë shumë fluturime, pra sipas tij do të ketë më shumë turistë. Sipas Vathit, këtë vit do të ketë fluks turistësh nga Evropa Perëndimore.
Besnik Vathi: Lloji i turizmit që ka prurjet më të shumta kuptohet që është turizmi i verës. Tashmë është fillimi i kulmit të turizmit, pasi e vërteta është se ne kemi edhe turizmin historik kulturor dhe malor. Këtë vit ka më shumë mundësi për ardhjet në aeroport pasi ka më shumë fluturime. Janë dy herë e gjysmë më shumë qytete europiane nga ku fluturohet drejt Shqipërisë. Turistët këtë vit vijnë nga të gjitha vendet këtë vit, ndryshe nga vitet e pandemisë. Europa perëndimore ka flusk të madh prurjesh përveç Europës lindore.
Më tej Vathi u shpreh se mungesa e turistëve rusë dhe ukrainas është e pandjeshme, pasi trafiku i lëvizjeve drejt Shqipërisë është shumë i madh.
Besnik Vathi: Do ishte më mirë të kishim turistët rusë e ukrainas, por mungesa e tyre është e pandjeshme në këtë trafik të madh të lëvizjes drejt Shqipërisë.
Ai ka treguar vendet që zgjedhin turistët që vijnë në Shqipëri, ndërsa ka treguar dhe benefitet që do të sillte hapja e aeroportit të Vlorës dhe tunelit të Llogarasë.
Besnik Vathi: Turistët, zgjedhin për plazh vendet që janë sa më afër aeroportit. Durrësi dhe Kavaja janë më afër aeroportit prandaj janë më të favorizuara. Ndërkohë Saranda përfiton nga prurjet e aeroportit të Korfuzit dhe më pak përfiton nga aeroportit të Tiranës. Vetë ndërtimi dhe hapja e aeroporteve pranë plazheve do kenë mundësi që të përfitojnë më shumë.
Nëse do hapet aeroporti i Vlorës dhe tuneli i Llogarasë, apo rruga tjetër që shkon drejt jugut, do e bëjmë të mundshme që bregdeti i jugut të ulë çmimet. Do doja dhe do shpresoja të ketë më shumë hapje hotelesh në bregdetin e Jugut.
