Vlorë/ Vijon zjarri në ‘Malin e Çikës’, e pamundur ndërhyrja nga toka

Vijon prej disa orësh zjarri në malin e Çikës pranë fshatit turistik të Dhërmiut.

Vatra e zjarrit në fjalë dyshohet se është e qëllimshme e vendosur nga çoban ose persona të apasionuar pas aventurës.

Përsa i përket vatrës së zjarrit, ajo është e kufizuar me një përrua, teksa edhe era bregdetare fryn në drejtim të ndryshëm të saj, duke mos e lejuar të avancohet.

Është një zjarr në terren të thepisur i cili mund të shuhet vetëm nga ajri.

Pas raportimeve qytetare kanë shkuar në terren ekipet e emergjencës civile të cilët kanë konstatuar një fakt të tillë.

Për zjarrin në fjalë deri më tani për shkak të terrenit nuk ka pasur ndërhyrje, teksa ndërhyrja pritet ditën e nesërme duke parë edhe ecurinë e tij. Gjithashtu raportohet se banesa nuk ka aty pranë.