Manchester United, Ten Hag me dorë të hekurt. Kontrollon lojtarët për çdo detaj

Në dhomat e zhveshjes të Manchester United dikush duhet të vendosë rregull dhe ky është padyshim trajneri i ri, Eric Ten Hag. Tekniku holandez nuk është aspak dakort me mënyrën se si sillen e stërviten lojtarët edhe jashtë fushës së blertë duke veshur uniformën e “rreshterit”.

Ai kontrollon madje edhe ushqimin e lojtarëve të tij të cilët nuk duhet të shtojnë në peshë dhe nuk duhet t’i diskutojnë problemet që kanë me agjentët e tyre sepse këtë duhet ta bëjnë vetëm me trajnerin e ri.

Ten Hag kërkon bashkëpunim dhe respekt për njëri-tjetrin, ndërsa synon të kontrollojë çdo detaj të jetës së yjeve të skuadrës së Manchester United. Stërvitja është përqëndruar kryesisht në aspektin fizik pasi trajneri kërkon lojtarë të fortë për të përballuar një sezon të gjatë por sipas Paul Scholes, këto rregulla mund ta pëkeqësojnë situatën në klubin e kuq.

Trajneri nuk u trembet fërkimeve me lojtarët në një skuadër ku që prej vitit 2013 asnjë menaxher nuk ka mundur t’i evitojë konfliktet, madje as Jose Mourinho, trajner që njihet si bashkues e motivues perfekt.