Partizani perfekt në natën “pa drita” të Gjeorgjisë. Të kuqtë i “ndriçon” Cara (VIDEO)
Tedi Cara me një gol i dhuron Partizanit gjysmën e biletës për në fazën e dytë të UEFA Conference League. Sulmuesi i kuq shënoi një gol shumë të rëndësishëm vetëm 80 sekonda pas fillimit të pjesës së dytë pas aksionit perfekt të Skukës, për të kompletuar një ndeshje me dy fytyra ndaj Saburtalos në qytezën modeste të Gorit në Gjeorgji ku ndodhi pothuajse gjithçka.
Ndeshja që nisi me ritëm nën mesataren për të kuqtë e Mehmetit që u mbrojtën mirë dhe sulmuan atëherë kur duhej.
45 minutat e para u mbyllën në paqe ndërsa gjatë pushimit ikën dritat në stadium, ngjarje që shkaktoi shtyrjen e fillimit të pjesës së dytë. Pas 15 minutave vonesë, ndeshja rifilloi në 19:18 dhe vetëm dy minuta më pas Tedi Cara ndriçoi përfundimisht stadiumin me një gol të rëndësishëm.
Ritëm i lartë gjatë pjesës së mbetur të ndeshjes por muri i kuq me Belicën dhe Bitrin rezistoi ndërsa kundërsulmet e skuadrës së Mehmetit u shpeshtuan aq sa skuadra kryeqytetase rrezikoi disa herë të shënonte edhe të dytin për të mbyllur tërësisht duelin për biletën e raundit të dytë ku skuadra e kualifikuar do të sfidojë Steauan e Bukureshtit.
Ndeshja rrezikoi të barazohej teksa Bitri mund ta kishte ndalur topin në rrjetën e Teqjes pas një topi të Guliashvilit që mbrojtësi e devijoi për pak cm jashtë kuadratit. Ndeshja e kthimit do të luhet në datën 14 në “Air Albania Stadium”.
Trajneri Dritan Mehmeti u shpreh pas ndeshjes:
“Duhet të rrimë me këmbë në tokë pasi asgjë nuk ka përfunduar. I gjithë problemi që kemi pasur ka qenë ajo që kemi shprehur gjithmonë, që skuadra kundërshtare ka ritmin e lojës. Zbritëm pak poshtë në pjesën e dytë për mungesë alternativash. Në dy momente me Skukën dhe Cvetanovskin dolëm para portës”.