Kategoria Superiore dhe Kupa, FSHF hap zyrtarisht tenderin për transmetuesin zyrtar të ndeshjeve

Të drejtat e transmetimit të të gjitha niveleve të rëndësishme të futbollit shqiptar do të rishpërndahen gjatë ditëve të nxehta të kësaj vere.

Në përfundim të kontratës me një nga platformat “pay per view” për transmetimin e të gjithë paketës së Kategorisë Superiore, FSHF bën me dije se ka nisur procedurat për të deleguar sërish të drejtën e transmetimit dhe këtë do ta bëjë edhe për Kategorinë e Parë, Superkupën apo Kupën e Shqipërisë, për territoret e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës se Kosovës për një periudhë 3-vjeçare.

Në komunikatën zyrtare të shpërndarë edhe për mediat, FSHF shton se ofertat duhet të paraqiten deri në datën 15 korrik pranë selisë së federatës. Nuk dihet ende nëse këtë herë FSHF do ta ndajë paketën e transmetimit të Superiores vetëm në një një paketë private me pagesë dhe një pjesë të ndeshjeve do t’i shpoërndajë edhe në një televizion kombëtar pa pagesë. Pasi të vlerësohen të gjitha ofertat më pas komisioni i posaçëm do të marrë edhe një vendim përfundimtar.