Cristiano Ronaldo nuk bindet. Nga sjellja e portugezit rrezikohet reputacioni i Man. United
Nuk ka asnjë gjurmë të Cristiano Ronaldos në qëndrën stërvitore të Manchester United. Për të tretën ditë rresht, portugezi nuk është paraqitur në apelin e Erik Ten Hag që po vijon në Carrington punën për të ndërtuar skuadrën e sezonit të ardhshëm.
Fillimisht në ditën e parë ai e justifikoi mungesën me një problem familjar ndërsa aktualisht nuk ka asnjë qëndrim zyrtar nga Manchester United që ndodhet në një moment aspak komod dhe shumë të sikletshëm.
Mungesa e numrit 7 të cilin trajneri holandez ka kërkuar ta ketë pjesë të skuadrës në sezonin e ardhshëm, me shumë mundësi do të pasohet edhe nga mosprania e tij në turneun aziatik dhe më pas në ndeshjen miqësore të planifikuar për t’u zhvilluar në Norvegji.
“The Sun”, zbulon vendimin e Manchester United për t’iu bindur portugezit, i cili dëshiron me çdo kusht largimin nga “Red Devils” për të luajtur një sezon tjetër në Champions League. Sipas raportimeve të fundit, Chelsea ofron 14 milionë pound për ta shkëputur CR7 nga viti i fundit i kontratës me United pasi presidenti Tedd Boehly është një fans i zjarrtë i fituesit të 5 Topave të Artë.
