Investitori strategjik, i shoqi merr plazhin, Olta Xhaçka shmang Kuvendin
Mazhoranca dhe opozita u përfshinë sërish në debate mes tyre, ku shkak është bërë kërkesa e demokratëve për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, e cila sipas tyre ka përfituar pasuri publike përmes skemës së investimeve strategjike ku është i përfshirë bashkëshorti i saj Artan Gaçi. Vetë Ministrja nuk u paraqit në seancë por u përfaqësua nga avokati i saj i cili deklaroi se nisma e PD-së nuk mund të dërgohet në Kushtetuese. Ai mohoi që Ministrja të ketë përfituar pasuri nga shteti.
Këshilli i Mandateve ka zhvilluar mbledhjen e radhës ku ka shqyrtuar kërkesën e Partisë Demokratike, për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Demokratët e akuzojnë Xhaçkën se ka konflikt interesi përmes bashkëshortit të saj si investitor strategjik.
Vetë Ministrja e Jashtme nuk është paraqitur në mbledhje, por vendosi të përfaqësohej nga avokati i saj, Genc Çifligu.
Ndryshe nga pretendimet e opozitës, avokati i Ministres, Genc Çifligu ka dhënë argumente, se përse çështja nuk mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Genc Çifligu: E drejta e Kuvendit nuk është e drejtë e palimituar, vetëm një shkelje Kuvendi ka të drejtë të vendosë dërgimin e çështjes në Kushtetuese. Nisur nga përmbajtja e pikave kolegji i gjykatës kushtetuese, është shprehur se: që Kuvendi të kërkojë mbarimin e mandatit duhet që shkelja të jetë kryer nga vetë deputeti dhe jo nga person tjetër. Sipas paragrafit 2, Kushtetua jonë ia ka deleguar rasteve të veçanta. Kërkesa për mocion, i referohet paragrafit 2 të Kushtetutës. Për shkak se siç pretendohet, rastet e parashikuara në pikën 2 nuk hyjnë në një çështje të Kushtetutës.
Ai shtoi se Ministrja s'ka përfituar asnjë pasuri nga shteti.
Genc Çifligu: Rezulton se Xhaçka nuk ka përfituar asnjë pasuri të shtetit gjatë gjithë kohës që ushtrimit të punës së saj. Gjykata Kushtetuese ka juridiksionin, vetëm kur konstatohen shkeljet. Sikurse e thamë, detyra e Këshillit është të verifikojë nëse mocioni i plotëson kriteret. 2 pyetje: A po ushtron ministra veprimtari që po burojnë nga shteti. A ka fituar ndonjë pasuri ministrja nga shteti? Në përgjigje të këtyre pyetjeve rezulton se deputetja nuk ka ushtruar vetë ndonjë veprimtari fitimprurëse që buron nga shteti.
Mbledhja e Këshillit vjen pas kërkesës së 14 deputetëve të PD që kanë kërkuar dërgimin në Gjykatën Kushtetutese të mandatit të deputetes për shkak se sipas tyre ajo ka përfituar nëpërmjet bashkëshortit të saj statusin e investitorit strategjik, duke marrë në përdorim pasuri publike.
Mocioni u depozitua nga deputetët e PD-së, të cilët kanë kërkuar ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit për ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme.


