“Grabiten 80 mijë euro në ditë”, Kryemadhi: Askush nuk e shpëton dot Erion Veliajn nga procedimi penal
“Pse keni frikë nga transparenca? Pse nuk i tregoni qytetarëve shqiptarë se cili është investimi që është kryer në incineratorin e Tiranës.”
Kryetarja e LSI, Monika kryemadhi nuk i ka ndalur denoncimet sa i përket aferës së incineratorëve. Duke i kthyer përgjigje ministres Delina Ibrahimaj, ajo kërkoi sqarime të mëtejshme mbi hetimet duke nënkuptuar se ato janë lënë në mes.
"Ministrja dje pranoi që qenkan 500 kompani të tilla, paska disa që qenkan dënuar disa që janë ende nën hetim. Unë kam vetëm një pyetje përsëri për Ministren e Financave? A ka shkuar deri në fund hetimi tatimor ku është burimi qoftë në blerje apo në shitje?"
Kryemadhi ka kërkuar përshpejtimin e hetimeve nga SPAK duke shtuar se në çdo ditë që kalon grabiten miliona euro.
“Çdo ditë që zgjatet incineratori i Tiranës të nderuar qytetarë dhe i bëj thirrje SPAK-ut të most a zgjasë më, çdo ditë që zgjatet kontrata e incineratorit të Tiranës i grabiten 80 mijë euro në ditë.”
Incineratori i Tiranës ende nuk është hapur nga SPAK, ndërsa Kryemadhi përgjegjës bën kryetarin e bashkisë Erion Veliaj.
‘Vepra penale e koncesionit të paligjshëm të inceneratorit të Tiranës deri në sekondën e fundit, quhet vepër penale. Pra ai që e ka firmosur duke devijuar në mënyrë të paligjshme një koncesion të paligjshëm në emër të Këshillit Bashkiak, Erion Veliaj nuk shpëton deri në sekondën e fundit të këtij koncesioni 30 vjeçar”
Vetëm pak ditë më parë LSI zbardhi një tjetër skemë të grabitjes me incineratorët, duke theksuar se janë 24 kompani që kanë bërë evazion fiscal, ndërsa për këtë janë përdorur emra të pensionistëve.
