"Çmendet" moti në vend. Pushuesit braktisin plazhin. Trafik i rënduar në akset kryesore
Ditën e sotme Vlora është përfshirë nga moti i keq, shiu dhe era e fortë. Një përkeqësim i kushteve atmosferike ka bërë që plazhet të braktisen nga pushuesit.
Rreshjet e dendura të shiut të cilat kanë filluar prej orës 11:00 të mesditës kanë larguar pushuesit vendas por edhe turistë e huaj nga plazhi në qytetin e Vlorës.
Të gjitha plazhet e qytetit janë boshatisur nga pushuesit dhe turistët të cilët si rrjedhojë e shiut janë larguar me shpejtësi.
Pronarët e plazheve kanë zgjedhur që çadrat dhe shezlongët t'i mbyllin dhe t'i sigurojnë nga era e fortë e cila vijon prej disa orësh në bregdet. Largimi i pushuesve dhe turistëve ka shkaktuar trafik në rrugët e qytetit të Vlorës sidomos në segmentet dalëse të qytetit.
Trafiku dhe qarkullimi i rënduar i automjeteve fillon që në shëtitoren Lungomare dhe vazhdon më pas në rrugën Transballkanike dhe në pjesën lidhëse të kësaj të fundit me autostradën Levan Vlorë.
Ndërkohë nga njësitë hoteliere raportohet një numër minimal prenotimesh ditën e sotme, si rrjedhojë e kohës së keqe.
Prenotimet për fundjavën nuk i kalojnë shifrat e 20 %, teksa këto prenotime janë nga shtetasit e huaj të cilët kanë prenotuar ditë më parë.
Një situatë e ngjashme ka ndodhur dhe në Sarandë, ku plazhet duken të shkretuara, aspak e zakontë kjo për një ditë normale korriku.
Kjo është hera e dytë brenda javës që pushuesit kapen në befasi nga ndryshimi i motit.
Stuhia e erës ka pushtuar edhe plazhin e Divjakës rreth orës 11:30 të kësaj të premtjeje.
Rëra ka mbuluar hapesirën e gjerë duke bërë të pamundur qëndrimin në plazh. Pushuesit janë larguar menjëherë nga plazhi, pasi stuhia ka ngritur çadrat dhe shezlonget.
Gjithë dita e sotme është parashikuar me mot të keq, me shi dhe stuhi.
Ndërkohë që në Lushnjë dhe në zonat rurale, era ka qenë e forë, e shoqëruar me stuhi, por që deri më tani nuk raportohen dëme, pasi fermerët i kanë marrë masat për të ruajtur serat dhe prodhimet e tyre në fushë të hapur.
Moti i keq me stuhi dhe reshje shiu ka përfshirë dhe rajonin e Lezhës. Kjo situatë ka boshatisur plazhet e Shëngjinit dhe Talës. Çadrat dhe shezlongët janë mbyllur dhe pushuesit jane larguar nëpër banesa apo hoteleri. Nga moti i keq deri tani nuk raportohet të jenë krijuar probleme.

