Policia lihet pas dore, 4 mijë policë peng i gradave, në pritje të pagës për orët shtesë
Mijëra efektiva policie kanë mbetur pa përfituar rritjen e pagës për shkak se megjithëse plotësojnë kriteret dhe kanë konkurruar nuk po u miratohet ngritja në gradë. Sindikata e policisë thotë se një tjetër problem janë orët suplementare që nuk janë paguar për punën shtesë, veçanërisht për repartet e policisë rrugore dhe sektorin Shqiponja.
Një numër i konsiderueshëm i efektivave të policisë, punonjës të reparteve të ndryshme nuk kanë marrë ende pagesën për orët suplementare.
Shqetësimin e ka ngritur kreu i sindikatës të punonjësve të policisë Sadetin Fishta i cili tha se më të prekur nga pagesat e prapambetura janë repartet shqiponja dhe policia rrugore.
“Tani pothuajse shumica e policisë është e mbingarkuar me shërbimi. Është kryesisht qarkullimi rrugor, janë forcat Shqiponja.”
Kreu i sindikatës tha se rreth 4 mijë punonjës po mbahen peng pasi kanë konkurruar për gradat inspektori i parë dhe i dytë çka po u pengon edhe rritjen e pagës.
“Implementimi për 4 mijë policë për dhënien e gradave inspektor i dytë dhe i parë që përfitojnë vetëm nga marrja e gradës.”
Duke iu referuar ngjarjeve ku efektivat e policisë janë vendosur në shënjestër të sulmeve me lëndë plasëse apo me lëndë djegëse, kreu i sindikatës thotë se këto raste duhet të hetohen me seriozitet.
“Diçka nuk shkon. Ose personat janë të ekspozuar në përplasje me krimit ose ka diçka tjetër që duhet zbuluar me kalimin e kohë, ku mund të ketë pasur edhe komprometime.”
Një model kontrate e re për punonjësit e policisë i është dërguar drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, Gledis Nano nga sindikata e cila përveç pagës është kërkuar, përmirësimi i kushteve duke përfshirë duke filluar nga dietat e deri tek uniformat.
