Mat, ura rrezikon banorët: Era e fortë në dimër e lëviz kaq shumë sa nuk kalon dot
Ura në fshatin Skuraj të Matit, po rrezikon banorët atje. Amortizimi i saj, dhe mungesa e vëmendjes ka bërë që banorët të rrezikojnë jetën teksa kalojnë sipër saj. Situata më e vështirë bëhet në dimër kur niveli i ujit në lumë rritet.
Kjo urë ndodhet mbi lumin Mat dhe lidh fshatin Tristik të Skurajt me zonat e tjera.
Kalimi mbi të është një sfidë.
Banorët duhet të jenë të kujdesshëm, sepse jeta e tyre rrezikohet seriozisht duke kaluar mbi të.
“Ka mbi dy vite që është prishur shumë. Sidomos në dimër duhet të kesh kujdes pasi era e fortë e ka lëvizur urën,” tha një banor.
Ata shprehen të shqetësuar për situatën në të cilën është lënë kjo strukturë.
“Kalohet me shumë vështirësi, mund të bien poshtë. Kjo urë lidh jo vetëm dy fshatrat , por dhe varrezat e zonës. Sidomos për moshën e tretë është shumë e vështirë për të kaluar në këtë urë,” shprehet një tjetër banor.
Thonë se asnjë institucion nuk ka ndërhyrë, pavarësisht kërkesave të vazhdueseshme të banorëve.
“I kemi bërë kërkesë edhe bashkisë që ura të rregullohet, por askush nuk ka marrë masa për ta ndërtuar atë,” thonë ata.
Sipas banorëve situata më e vështirë bëhet gjatë dimrit, kur edhe niveli i lumit rritet ndjeshëm.





