SPAK çon në gjykatë komisioneren e KPK Etleda Çiftja, e akuzon për falsifikim e fshehje të pasurisë

Anëtarja e KPK Etleda Çiftja dërgohet në gjyq nga SPAK me akuzën e fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara. Prokuroria e Posaçme thekson se zyrtarja e lartë e vetingut e cila ka shkarkuar qindra gjyqtarë e prokurorë, ka fshehur një apartament dhe dy sipërfaqe të mëdha toke. Më herët nën akuzë kanë përfunduar edhe dy anëtarë të KPA, gjithashtu zyrtarë të lartë të vettingut.

Anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiftja është një tjetër zyrtare e lartë e vettingut e cila përfundon e pandehur në gjykatë për falsifikim dokumentesh dhe mosdeklarim të pasurisë.

Prokuroria e posaçme SPAK, njoftoi se në përfundim të hetimeve paraprake, ka vendosur të dërgojë për gjykim procedimin penal nr. 202 të vitit 2021  në ngarkim të të pandehurës Etleda Çiftja.

Anëtarja e KPK, e cila ka firmosur shkarkimin e qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve, akuzohet nga prokuroria për vepra penale të “Falsifikimit të dokumentit“, në formën e përdorimit, dhe “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.

“Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar tej dyshimit të arsyeshëm se e pandehura Etleda Çiftja, në deklaratën me nr 14568 indeksi, datë dorëzimi 17.07.2017, ka kryer deklarim të rremë te pasurise, e konkretisht në lidhje me burimin e blerjes së apartamentit të banimit, te dy parcelave tokë arë me sip 1450 m2 dhe me sip 3440 m2, mënyrën e fitimit të pronësisë për dy sipërfaqet e tokave arë si dhe në lidhje me qëllimin e  marrjes së një kredie pranë ish Banka Emporiki – Shqipëri sh.a.” thuhet në njoftimin e SPAK.

Gjithashtu e pandehura Etleda Çiftja, ka dorëzuar pranë ILDKPKI, një kontratë me përmbajtje të falsifikuar, referuar çmimit të pasqyruar në të, provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm, "pasi kjo kontratë  nuk përputhet me atë të gjendur pranë arkivës së zyrës noteriale ku është përpiluar dhe pranë ASHK-së në momentin e regjistrimit të pasurisë për të cilën është lidhur kjo kontratë. Gjithashtu kjo kontratë përmban të dhëna të rreme edhe në lidhje me vetë veprimin e pasqyruar në të, pra shitje blerjen e parcelës tokë arë"

E pandehura Etleda Çiftja u zgjodh në qershor 2017 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në postin e Komisioneres pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe përgjatë 5 viteve ka marrë pjesë në vendimet e shkarkimit të qindra prokurorëve e gjyqtarëve për çështje të fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë.

Denoncimi ndaj zyrtares së lartë të vettingut u bë pikërisht nga avokatët që përfaqësojnë gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vetingu.

Më herët me drejtësinë janë përballur edhe anëtarët e KPA Ardian Hajdari dhe Luan Daci.