Mbyllet dosja e komisioneres së vettingut, Brunilda Bekteshi u denoncua për pasurinë dhe falsifikim
Gjykata e Posaçme ka vendosur të pushojë dosjen penale që bënte fjalë për hetimin pasuror ndaj komisioneres se Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Brunilda Bekteshi.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Erjon Bani, i cili ka cilësuar kërkesën e prokurorit Dritan Prençi, për pushimin e hetimeve si legjitime dhe të drejtë.
Kjo është hera e dytë që dosja penale e hetuar nga prokurori Dritan Prençi është pushuar pasi herën e parë gjykata riktheu për rihetim dosjen penale në ngarkim të Brunilda Bekteshit.
Ajo rezulton e kallëzuar nga ish-prokurorët Bujar Hoti dhe Gentian Trenova, për “Falsifikim të dokumentave” dhe “fshehjes së pasurisë”.
Të kontaktuar nga Ora News, dy kallëzuesit e kësaj çështje, Bujar Hoti dhe përfaqësuesi i shoqatës “Drejtësi për Drejtësi”, pohuan se do e kundërshtojnë sërish vendimin për pushimin e hetimeve.
Kallëzimi ndaj Brunilda Bekteshit kërkonte hetimin e saj për një kontratë shitblerje apartamenti në vitin 2007, në shumën 3,100,000 lekë, me para në dorë.


