Nesër mblidhet Këshilli i Mandateve, PS nuk e lëshon OIta Xhaçkën

Të premten (1 korrik 2022) në orën 12:00 Këshilli i Mandateve do të mblidhet për të diskutuar mbi mandatin e deputetës socialiste Olta Xhaçka. Pavarësisht se PD pretendon se ministrja e jashtme është në konflikt interesi me mandatin e deputetës për shkak se bashkëshorti i saj ka pëfituar statusin e investitorit strategjik me vendim qeverie.

Partia Socialiste ka vendosur që t’i bëhet mburojë ministres dhe deputetës socialiste Olta Xhaçkes ndaj akuzave të opozitës për shkelje të Kushtetutës. Sipas kreut të grupit parlamentar të mazhorancës Taulan Balla, ministrja e Jashtme nuk është në konflikt interesi edhe pse qeveria në të cilën ajo bën pjesë ka shpallur bashkëshortin e Xhaçkës investitor strategjik.

Socialistët kanë qëndrim të kundërt me opozitës të cilët kërkojnë që  mandati i Olta Xhaçkës të shkojë në Kushtetuese.

Taulant Balla në një prononcim për gazetarët sot tha: Lërini institucionet të bëjnë punën e tyre. Ka një kërkesë për të. Nesër kemi një seancë ku do të njihemi edhe zyrtarisht. Nëse doni vlerësimin tim, është një flluskë sapuni. Nuk ka asgjë konkrete. Gjithçka është vepruar sipas ligjit.  Ju lutem duroni e prisni. Të gjithë qytetarët do të jenë të qartë se nuk ka të bëjë me asnjë shkelje të Kushtetutës  dhe as konflikti të interesave.

Taulant Balla:Shqipëria ka nevojë për shumë investime në sektorin e turizmit. Investimet private janë të mirëpritura sa kohë janë në kuadrin e përcaktuar nga ligji. Investitori strategjik nuk ka asnjë lloj përfitimi nga fondet publike. Në të gjitha rastet është investim me fond privat.

Pavarësisht se precedentët e Ilir Beqaj në 2011 dhe Koço Kokëdhimës në 2016 rrezikojnë mandatin e deputetës socialiste, Balla tenton që këto akuza të PD t’i vendosë vetëm në debat politik dhe jo atë juridik.

Taulant Balla: Jam i bindur që është flluckë sapuni që ka nevojë të mbushë vakumin e agjendës opozitare në këto ditë të nxehta. Sapo mëndjet e nxehta të opozitës të gjejnë një çështje tjetër do të tërhiqen se e dinë që nuk ka asgjë brenda flluskës.

Të premten në orën 12:00 Këshilli i Mandateve do të mblidhet sërish, ku PD do të parashtrojë të gjitha argumentat e saj ligjorë që të tentojë të bindë socialistët që të votojnë pro çuarjes së Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.

Deklarata e Taulant Ballës u bë sot në oborrin e Kuvendit në një prononcim për gazetarët. 

Shenim: Lajmi u perditësua