Elbasan/ Kapen me 7 emigrantë në makinë, tre prej tyre ishin në bagazh
Dy persona janë arrestuar në Elbasan pasi u kapën duke transportuar 7 emigrantë në dy automjetet e tyre.
Me finalizimin e operacionit "Danubi 7" u arrestuan:
N. M., 36 vjeç, banues në Pogradec, pasi u kap, në fshatin Xibrakë, Librazhd, duke transportuar me një automjet, 3 emigrantë të paligjshëm, kundrejt pagesës 50-150 euro për person.
L. L., 34 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap, në aksin rrugor Labinot-Elbasan, duke transportuar me një automjet, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjetet, 4 aparate celulare dhe një sasi parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme, informon policia.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.