Dështimi i Lukaku-t në Londër/ Ku dhe kur u kris marrëdhënia Big Rom-Chelsea?

Lukaku ka mbërritur në Milano dhe pas vizitave mjekësore me klubin zikaltër është edhe zyrtarisht sulmuesi më i ri i armatës së Inzaghit. Pasi shkeli në tokën milaneze ai u shpreh shumë i lumtur për rikthimin në shtëpi, por një gjë të tillë e bëri edhe një vit më parë në nisje nga aeroporti i Malpensas teksa zgjodhi Chelsea-n pas vetëm një sezoni në Serie A.

Për t’u kthyer vetëm pak muaj në kohë, mediat italiane analizojnë më në detaje se çfarë ndodhi në Londër që e bëri sulmuesin belg një nga dështimet më të mëdha të historisë së Premier League?

Ai u bashkua me Chelsean si një nga transferimet më të shtrenjta në historinë e klubit blu, por ndryshe nga lojtarët me të cilët është mësuar të punojë Tuchel, “Big Rom” nuk është njeriu që i përshtatet stilit të gjermanit. Sulmuesi preferonte të fliste kryesisht në media dhe jo në fushën e lojës. 44 ndeshje, 15 gola nga të cilët vetëm 8 në Premier dhe protagonist vetëm në Botërorin e Klubeve.  

Në dhjetor 2021 dha intervistën e parë ku rrëfeu se ishte penduar për transferimin në Londër, një lëvizje aspak profesionale në mes të sezonit. Pas asaj interviste vetëm tre gola të shënuar. 

Ai theksoi ndër të tjera se stili i tij i lojës nuk përshtatej aspak me atë të Tuchel dhe për më tepër tregoi hapur se mendonte përditë për ish-skuadrën e tij, Interin. Sulmuesi humbi tërësisht simpatinë e tifozëve të Chelseat dhe ai ishte fundi për "mister 105 milionëshin" në skuadrën që e kishte "ëndërruar që fëmijë".