Shkodër/ Pako me lëndë plasëse poshtë makinës, drejtoresha e Shëndetit Publik i shpëton për mrekulli atentatit

Drejtoresha e Shëndetit Publik në Shkodër i ka shpëtuar për mrekulli një atentati. Një sasi lënde plasëse i ishte vendosur në gomën e parë të automjetit tip "Range Rover" të Suida Kokës.

Shkoder- Një sasi lënde plasëse i është vendosur në gomën e parë të automjetit "Range Rover" në pronësi të drejtoreshës së Operatorit të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër, Suida Kuka.

Sipas dyshimeve paraprake, mësohet se një person i cili po lëvizte me motoçikletë ka ndaluar pranë automjetit duke vendosur lëndën plasëse të mbështjellë në një pako në gomën e parë të automjetit dhe më pas është larguar, kjo në bazë edhe të pamjeve të kamerave të sigurisë që kanë filmuar këtë moment.

Ka qenë një person tjetër në fakt, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, që ka sinjalizuar policinë për këtë pako të dyshimtë pranë automjetit, rreth orës 16:00 (28 qershor 2022)  pak para se të përfundonte orari zyrtar i punës.

"Rreth orës 16:00, jemi njoftuar se në lagjen Vojo Kushi” Shkodër, në anë të rrugës, është konstatuar një pako, brenda së cilës, nuk dihet ende, se çfarë materiali/esh ka.Shërbimet e Policisë kanë vendosur perimetrin e sigurisë në vendngjarje dhe po verifikojnë rastin. Janë njoftuar forcat xheniere, për të kryer veprimet e mëtejshme" thuhet në njoftimin paraprak të uniformave blu.

Shërbimet e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë rrethimin e zonës.

Më pas i kanë kërkuar drejtoreshës dhe punonjësve të tjerë të institucionit të dalin nga ndërtesa dhe është pritur deri në mbërritjen e forcave xheniere nga Tirana, të cilët kanë bërë dhe shpërthimin e komanduar.

"Në vijim të informacionit paraprak për një pako të dyshimtë që u konstatua në lagjen “Vojo Kushi”,  Shkodër, në afërsi të një mjeti “Range Rover”, në pronësi të shtetases S. K., banuese në fshatin Demiraj, Malësi e Madhe, me detyrë Drejtoreshë e Drejtorisë së Shëndetit Publik Shkodër, ju informojmë se në vendin ku u konstatua pakoja e mbyllur erdhi njësia antieksploziv e RENEA-s, e cila bëri shpërthim të kontrolluar të pakos, brenda së cilës rezultoi se kishte lëndë eksplozive.Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit" njoftoi policia në një komunikatë të dytë.

Policia dhe prokuroria e Shkodrës i kanë nisur hetimet për këtë ngjarje ku në pyetje po merret drejtoresha Kuka dhe persona të tjerë që kanë qenë dëshmitarë në vendngjarje.

Nga të dhënat e para mësohet se ajo ka deklaruar  se nuk ka dijeni për ngjarjen dhe se e ka mësuar nga policia edhe vendosjen e lëndës plasëse dhe se nuk ka konflikte me persona të tjerë.

Do të jenë kamerat e sigurisë që pritet ti vijnë në ndihmë policisë për të identifikuar personin që ka vënë lëndën plasëse në mjet.

Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz por vetëm dëmtime të mjetit nga shpërthimi i komanduar i lëndës plasëse dhe një makine tjetër të parkuar ngjitur me të.

Shkodër/ Pako me lëndë plasëse poshtë makinës,Shkodër/ Pako me lëndë plasëse poshtë makinës,