Gjici "tund" analizat e ISHP-së për ujin: Shpifësit që krijuan panik do paditen në gjykatë nga Bashkia e Ujësjellësi

Me analizat e Institutit të Shëndetit Publik në dorë, kreu i bashkisë së Kukësit Safet Gjici edhe njëherë mohoi se nuk ka qenë uji shkak për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të dhjetëra qytetarëve që u paraqitën  në spital prej mëngjesit të së dielës, 26 qershor.

"Pavarësisht atyre që thanë uji i Kukësit është i helmuar pa pasur asnjë lloj analize, pa pasur përgjegjësi,të krijosh panik."

Duke folur si një ekspert i Shëndetit Publik, Gjici mori dhe rolin e drejtorit të Ujësjellësit, ndërsa të gjithë ata që kanë hedhur dyshime se uji mund të ketë qenë shkaktar i helmimit u tregoi derën e gjykatës teksa paralajmëroi për padi.

"E ke me firmë, me vulë. Shikoni të gjitha këto janë zero, zero. Ai që merr vesh nga analizat. Ata që kanë bërë panik në popull, kanë shkelur ligjin, natyrisht që bashkia do ti padisë,drejtoria e Ujësjellësit do ti padisë."

Pavarësisht se ka qenë një mjek i spitalit të Kukësit që hodhi dyshimet se uji mund të ketë qenë me probleme, Gjici tha se deklarata e mjekut është keqinterpretuar.

"Fjala helmim në këto raste do të thotë se 25 mijë qytetarë do të ishin te spitali. Shpifësat, ata që krijuan panikun. Natyrisht që dhe mjeku i spitalit nuk e ka thënë që ka qenë uji i helmuar por ka thënë se mund të vijë kjo lloj viroze. Këto shenja që kanë qytetarët që kanë vajtur në spital, mund të vijnë nga kjo, nga kjo, nga kjo".

Gjatë të dielës dhe të hënës, 26-27 qershor, dhjetëra qytetarë të Kukësit ju drejtuan spitalit për të kërkuar ndihmë shëndetësore pas përkeqësimit të gjendjes, ndërsa ende nuk dihet shkaku i kësaj viroze.