Harry Maguire “mbron” më mirë në altar. Lojtari anglez martohet në Francë

Harry Maguire harron për momentin të gjitha telashet që po i shkakton futbolli dhe kthen faqe me shpresën që gjërat mund të rregullohen. Mbrojtësi i Manchester United është martuar me të fejuarën Fern Hawkins, femra e jetës së tij me të cilën është njohur që në fëmijëri.

Në një postim të publikuar në Instagram, Maguire shkruan se është një ditë që nuk do ta harrojë kurrë. 29-vjeçari dhe e fejuara dy vite më e vogël, u martuan në një ceremoni private në një kështjellë në Chateau de Varennes të Francës jugore që cilësohet edhe si një nga 10 vendet ideale të planetit për të vendosur kurorë.
Në ceremoni ishte edhe portieri i Everton, Jordan Pickford me të cilin Maguire ka lidhur miqësi në radhët e Kombëtares së Anglisë. Dita më e lumtur e çiftit që vetëm në muajin maj përjetoi makthin e një alarmi të rremë për bombë për shkak të problemeve që Maguire ka pasur me tifozët e Manchester United gjatë këtij sezoni.

