Skënderbeu, Migen Memelli ulet në stol për të rikthyer skuadrën në elitë

Migen Memelli rikthehet në stolin e Skënderbeut vetëm pak muaj pas largimit. Trajneri korçar merr drejtimin e 8 herë kampionëve të Shqipërisë në një moment delikat për juglindorët që pas më shumë se një dekade u rikthyen në Kategorinë e Parë pas një sezoni të dobët ku edhe Memelli ishte pjesë.

Klubi bën kështu një hap pas edhe pse marrëdhëniet me Memellin nuk i ndërpreu asnjëherë, pavarësisht emërimit të përkohshëm të Skënder Gegës, i cili drejtoi skuadrën deri 2 javë nga fundi i sezonit, duke mos e realizuar objektivin mbijetesë.

Migen Memelli e mori drejtimin e Skënderbeut për herë të parë në Janarin e vitit 2021 duke siguruar mbijetesën e skuadrës sezonin e kaluar, ndërsa u largua në marsin e 2022-shit. Objektivi i klubit korçar është rikthimi në elitë dhe rikthimi i 42-vjeçarit në stol është një sinjal i qartë në projektin e besueshëm që ka presidenca.