Hetimet për Kadastrën e Tiranës, Prokuroria sekuestron dokumentacionin e pronave

Prokuroria e Tiranës ka marrë në dorë listën e punonjësve që kanë patur akses në regjistrat e Kadastrës së Tiranës pas denoncimit të Artan Lames për manipulime. Pas hapjes së hetimeve kryesisht grupi i hetimit ka bërë edhe sekuestrimin e dokumentacionit dhe pritet të nisë marrjen në pyetje të personave pergjegjës.

Prokuroria e Tiranës ka nisur sekuestrimin e raporteve dhe akteve në zyrat e Kadastrës, pas denoncimit të kreut të përgjithshëm, Artan Lame për manipulime në regjistrin e pronave në Tiranë.

Hetimi po kryesohet nga drejtuesi i Prokurorisë së rrethit Arenc Çela.

Mësohet se së bashku me aktet Prokuroria ka sekuestruar edhe listat e punonjësve ndër vite që kanë patur akses në plotësimin e tyre, me qëllim identifikimin e personave që mund të kenë kryer ndërhyrjet në regjistër.

Javën e ardhshme Prokuroria pritet të nisë edhe marrjen në pyetjeve të personave, të cilët dyshohet se kanë dijeni për rrethanat e faktit.

Sipas auditit të fundit të kryer nga vetë institucioni bëhet fjalë për mijëra regjistra të shkatërruar ndër vite.

Artan Lame deklaroi një javë më parë se vetëm 10 për qind e regjistrave të pasurive rezultojnë të rregullta dhe 515 faqe mungojnë tërësisht.

Ai zbuloi se në regjistra kishte fletë bosh, për t`i plotësuar me pasuri të marra në mënyrë të paligjshme.

Prokuroria bëri me dije se ka regjistruar hetimin kryesisht per shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash.