Aeroporti i Vlorës në zonë të mbrojtur, Tabaku: Shkatërron ekosistemin, projekt korruptiv
Partia Demokratike përmes deputetes së saj Jorida Tabaku e cilëson një skemë korrupsioni qeveritar projektin e aeroportit të Vlorës, i cili përveçse po gllabëron paratë e buxhetit, po shkatërron dhe një tjetër pasuri kombëtare.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi kwtw tw premte se aeroporti i Vlorës do të ngrohet në një zonë të mbrojtur dhe se përpos shkatërrimit të natyrës dhe ekosistemit, projekti është korruptiv.
Tabaku: Kontrata koncesionare me vlerë 138.2 mln euro është fituar nga një konsorcium që zotërohet nga dy kompani; e para është kompania turke që ndërtoi falas spitalin e Fierit dhe kompania e dytë është e afërt me kryeministrin. Përpos kësaj, historia e garës së këtij koncesioni me vlerë 138.2 mln euro është e mbuluar me dyshime të mëdha. Pjesëmarrës në garë ka qenë një kompani britanike e cila akuzon qeverinë se ka ndryshuar kriteret e garës pak ditë përpara përfundimit të saj. Dy javë përpara përfundimit të garës.
Pikërisht pas këtyre ndryshimeve, ka hyrë në lojë konsorciumi fitues që është regjistruar në 1 mars 2021 dhe është shpallur fitues 3 ditë më pas. Unë e dëgjoj retorikën e qeverisë që justifikon e mbron korrupsionin sepse po ndërton vepra publike, jam e sigurt që do t’i dalë për zot Rama si i ka dalë për zot çdo afere tjetër korruptive, por unë nuk bie dot dakord me shkeljen e ligjit, nuk bie dot dakord me këtë normalizim korrupsioni, nuk bie dot dakord me këtë lehtësi të frikshme për të pranuar korrupsion si normë dhe vlerë.
Sipas Tabakut, kjo është një tjetër skemë tipike korrupsioni ku qeveria është e përfshirë dhe qartësisht ka favorizuar një palë.
Tabaku: Në qoftë se do të kishte një garë, n.q.s. nuk do të ishte shkelur ligji, n.q.s. nuk do të favorizohej një kompani pranë qeverisë mund të kishim pasur investitorë të huaj, mund të flisnim për konkurrencë e treg të lirë. Sot fatkeqësia kryesore është kapitullimi i ekonomisë së tregut, me këtë sjellje e korrupsion për të komanduar çdo gjë e këdo.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve deputetja e PD-së konfirmoi se do të jetë në shesh pasten e 7 korrikut në protestën e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha kundër rritjes së çmimeve.

