Durrës, tregtonte mallra kontrabandë, procedohet penalisht 39-vjeçari
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Mix”, ku është goditur një veprimtari e paligjshme e tregtimit të mallrave të sjella kontrabandë në shtetin tonë.
Policia e Durrësit ka proceduar penalisht një 39-vjeçar i cili shiste në dyqanin e tij mallra, të cilat dyshohet se janë futur kontrabandë në vendin tonë
Gjatë kontrollit në dyqanin e tij, u gjetën dhe u sekuestruan 74 aparate celulare, veshje, aksesorë dhe pajisje të tjera, për të cilat ky shtetas nuk dispononte faturën përkatës të deklarimit në autoritetin doganor.
“Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e tregtimit të mallrave që futen kontrabandë në vendin tonë, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mix”, si rezultat i të cilit u procedua penalisht shtetasi: M. M., 39 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale "Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë" dhe "Fshehja e të ardhurave".” – njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
