Peshkatarët në grevë/ Kryetari i Sindikatës: Çmimi i naftës i papërballueshëm, kostot janë shtuar

Në Durrës peshkatarët kanë hyrë në grevë pasi nuk përballojnë dot çmimin e lartë të naftës. Aktualisht ata furnizohen me 180 lekë për litër por thonë se prej korrikut kanë marrë garanci se do të rimbursohen nga qeveria.

Pamundësia për të përballuar çmimin e shtrenjtë të naftës i ka detyruar peshkatarët në Durrës të hyjnë në grevë.

“Dje ne shpallëm grevën, mbyllëm derën e portit.”

Kryetari i Sindikatës së Peshkimit Klodian Kapiti thotë se sektori prej disa muajsh po përballet me vështirësi të mëdha.

“Pothuajse që prej tre muajsh peshkimi ka qenë në një grevë të heshtur, nuk ka pasur reagime publike sepse rast pas rasti kemi marrë garanci se kjo situatë do të zgjidhet."

Aktualisht naftën e marrin me 180 lekë për litër. Çmimi është tejet i lartë, u shton kostot dhe i çon drejt falimentit.

“Sipas llogarive që bëjmë ne, nëse nafta kalon 70 leke jemi në deficit”

Nga qeveria kanë marrë garanci se prej korrikut do të rimbursohen për çmimin e naftës, kjo vendimmarrje do t`i jepte frymëmarrje sektorit.

“Është marrë vendmi që pas datës 1 korrik çmimi i bursës të jetë -40 lekë”

Kreu i Sindikatës ngre shqetësimin se tregtarët po abuzojnë me çmimin e peshkut.

“Më të humburit në këtë histori janë barkat e peshkimit. Tregtarët dyqanet dhe restorantet janë më të fituarit. Ndryshe merret nga magazinat, ndryshe tregtohet nga tregtarët.”

Peshkimi është një ndër sektorët e prekur pas rritjes së çmimit të naftës si pasojë e luftës në Ukrainë.