Nga Tirana në Hanin e Hotit, ndalohet minibusi me 10 emigrantë të paligjshëm

Finalizimi i operacionit "Tranzit 23", për kalim të paligjshëm të emigrantëve ka bërë të mundur arrestimin e një personi në Kamëz dhe procedim në gjendje të lirë për bashkëpuntorin e tij..

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5, Forcën e Posaçme "Shqiponja" dhe Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit kapën në flagrancë shtetasin I. L., 46 vjeç duke transportuar 10 emigrantë të paligjshëm. Bashkëpuntori i tij A. L., 40 vjeç, u la në gjendje të lirë.

Të dy personat me banim në Shkodër, kundrejt parave do të transportonin emigrantët me një minibus drejt pikës kufitare të Hanit të Hotit, me qëllim kalimin në Malin e Zi.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe 10 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale "Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror".

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.