Rama për Corriere Della Sera: Të parashikosh lëvizjet e BE-së është si të parashikosh fatkeqësitë natyrore

Kryeministri Edi Rama është intervistuar për mediet në Itali pas përfundimit pa sukses të samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Kreu i qeverisë në një bisedë telefonike me "Corriere della Sera" e quajti Bashkimin Evropian të sëmurë dhe se ka nevojë për një reformim sidomos pas premtimeve, sipas tij, të pambajtura.

I pari i qeverisë ka lënë të kuptohet se BE duhet të heqë të drejtën e vetos, peng i së cilës është bërë Shqipëria për vite me radhë.

Nismën ekonomike rajonale të Ballkanit të Hapur, Rama e quajti të rëndësishme për të shmangur influencën ruse në rajonin tonë.

Për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, kryesocialisti e krahasoi me parashikimin e një fatkeqësie natyrore.

Ditë e keqe pse?

“Sepse nuk ishte e mundur të lironim Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pengje të vetëm një vendi të BE-së, Bullgarisë, e cila është edhe anëtare e NATO-s njësoj si ne. E gjithë kjo përballë 26 shteteve të tjera anëtare që duken të pafuqishme dhe me një luftë para portave”.

Pse jeni peng i Bullgarisë?
Thjesht për çështjet e tyre të brendshme politike, asgjë më shumë”.

A prisnit një hap përpara për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?
“BE nuk i ka mbajtur premtimet. Dhe nuk e them unë, të njëjtët drejtues të komunitetit e pranojnë që ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë, por pavarësisht kësaj jemi ende të vendosur”.

Ai diskutoi me presidentin francez Macron, me atë të Këshillit Evropian Michel dhe me Komisionin von der Leyen.

Çfarë i thatë njëri-tjetrit?
“Ne diskutuam se si të dilnim nga kjo situatë dhe u thashë se mbështesim idenë e një komuniteti të ri evropian.

A duhet hequr unanimiteti nga vendimet e BE-së?
“Unë me të vërtetë mendoj kështu, 100%. Jam i vetëdijshëm se kjo është një çështje e ndjeshme për vendet anëtare, e cila ka historinë dhe rëndësinë e saj. Por ka ardhur koha për ta hequr atë”.
 
Keni folur për këtë me kryeministrin italian Mario Draghi?
"Sigurisht. Diskutuam këtë situatë, urgjencën e gjetjes së një zgjidhjeje. Diskutuam edhe per ndikimin rus në Ballkan”.
 
A rrezikohet Ballkani nga infiltrimi nga Rusia dhe Kina me këtë ngërç?
“Nuk ka dyshim që zona përfaqëson një pikë të dobët të kontinentit për sa i përket rrezikut të depërtimit nga subjektet e tjera. Nëse shikojmë Rusinë, është e qartë se ajo ka mënyrat dhe kanalet e veta që e bëjnë Ballkanin të pambrojtur: kjo është arsyeja pse ne dhe shtetet e tjera të zonës po punojmë për Ballkanin e hapur që pret të anëtarësohet në BE”.
 
Putini do të jetë i lumtur me këtë ngërç…
“Putini mund të mos jetë në gjendje të mirë shëndetësore, por Bashkimi Evropian e sigurt nuk është më mirë”.

A e lë në hije fatin tuaj hapja ndaj Ukrainës?
"Aspak. Janë dy dosje të veçanta. Ukraina meriton të jetë një kandidate për anëtare të BE-së, edhe nëse statusi nuk sjell shumë më tepër, siç e tregon historia e Shqipërisë".
 
A duan ende shqiptarët të anëtarësohen në BE?
“Nuk mund të jap një përqindje, por qëndrimi i shqiptarëve ndaj Europës nuk ka ndryshuar: duan të jenë anëtarë dhe protagonistë aktivë të BE-së”.
 
Kur mendoni realisht se Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian?
"Seriozisht? Është e pamundur të thuhet. Të parashikosh lëvizjet e BE-së është si të parashikosh fatkeqësi të mëdha natyrore", thuhet në intervistën e publikuar nga Corriere Della Sera.