Parlamenti bullgar miraton propozimin e Parisit, topi në dorë të Kovaçevskit
Kryeministri bullgar e ka ftuar homologun e tij maqedonas të bëhet hero duke pranuar propozimin francez për zgjidhjen e vetos, çka do t’i kushtonte Kovaçevskit shkarkimin nga kryetari i qeverisë.
Sofie- Kryeministri në largim i Bullgarisë, Kirill Petkov i ka bërë thirrje për herë të fundit homologut të tij maqedonas, Dimitar Kovaçevski që të pranojë propozimin e Presidencës franceze të Këshillit Evropian lidhur me zgjidhjen e ngërçit historik dhe politik mes Shkupit dhe Sofjes.
Nga Brukseli, ndërsa po merr pjesë në samitin dyditor të liderëve të BE-së, kryeministri bullgar, i shkarkuar nga parlamenti i ka bërë thirrje Kovaçevskit që të tregohet i guximshëm dhe të pranojë propozimin francez, të cilin e kundërshtoi një ditë më parë.
Deklaratat e Kirill Petkov vijnë pasi parlamenti bullgar miratoi propozimin francez si pjesë e kuadrit negociues për integrimin e Shkupit, duke i dhënë fqinjit të saj dritën jeshile për të hapur negociatat me Bashkimin Evropian.
Mirëpo përpara kësaj kërkohet edhe miratimi i Shkupit.
Nga Brukseli, kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski tha se qeveria e tij do të votonte kundër propozimit francez.
Kryeministri në detyrë i Bullgarisë të premten (24 qershor 2022) nga Brukseli u shpreh se nëse Kovaçevski do të pranonte propozimin e Parisit do të rrezikonte shkarkimin, fat të cilin e pësoi edhe ai të mërkurën.
Petkov: Kovaçevski të bëhet i guximshëm dhe të pranojë kompromisin e udhëhequr nga Franca dhe të fillojë bisedimet zyrtare të anëtarësimit me BE-në. Duke vepruar kështu qeveria e Kovaçevskit mund të rrëzohet. Në fund të ditës, e di se është shumë e vështirë politikisht. Po të isha ai, në krahun e tij, as që do të mendoja dy herë. Nëse ai mund të hyjë në histori duke hapur derën për Maqedoninë e Veriut në BE, mendoj se është një arritje e mirë për një kryeministër. Por duhet guxim.
Por çfarë propozon Franca për zgjidhjen e ngërçit mes dy vendeve?
Sipas draftit, bullgarët duhet të përfshihen si entitet në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, të cilët sipas censusit të fundit rezultuan të ishin më pak se 2000 persona.
Po ashtu sipas miratimit të Këshillit për Politikën e Jashtme bullgare, Sofja nuk ka për detyrim që ta njohë gjuhën maqedonase, të cilën e quan si dialekt të gjuhës bullgare.
Opozita maqedonase, e VMRO-DPMNE e cila ka mbushur sheshet në ditët e fundit kundër qeverisë së Kovaçevskit është kundër ndryshimit të Kushtetutës, e cila do të mundësonte përfshirjen e bullgarëve në të.
Parlamenti bullgar me 170 vota pro, 37 kundër dhe 21 abstenim pro hapjes së rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe rrjedhimisht edhe të Shqipërisë, megjithëse në mënyrë të kushtëzuar përmes propozimit francez, të cilën Shkupi të enjten e quajti të papranueshme dhe si vijë të kuqe.
