Përçarje e revoltë mes avokatëve, mbrojtësit ligjore ndahen në protestën kundër shkrirjes së gjykatave
Avokatët në Shkodër e Vlorë, Lezhë kanë vendosur të bojkotojnë masat e sigurimit personal të martën e të mërkurën, cka mund të cojë drejtësinë në kaos. Mënyra si duhet të vijojë protesta kundër hartës së re gjyqësore i ndau mbrojtësit ligjore. Një pjesë u rikthyen në punë, të tjerët vijojnë grevën duke kundërshtuar vendimin e Dhomës Kombëtare.
Në javën e dytë të protestës kundër hartës së ee gjyqësore, avokatët në rrethe u përçanë në tre grupe këtë të hënë.
"Vendosëm për vazhdimin e bojkotit të gjykatave."
"Dhoma e Avokatisë Elbasan nga sot vazhdon proceset rregullisht."
Si asnjëherë më parë Dhomat Vendore të Avokatëve në Shkodër, Vlorë, Lezhë vendosën të bojkotojnë edhe masat e sigurisë të martën dhe të mërkurën.
Në proceset gjyqësore nuk do të marrin pjesë gjatë gjithë javës.
"Kemi vendosur të bojkotojmë dhe mbrojtjen në zhvillimin e masave të sigurimit për datat 21-22."
Bojkotin e gjyqeve do ta vijojnë edhe avokatët e Gjirokastrës, Korçës e Pogradecit, duke kundërshtuar vendimin e Dhomës Kombëtare që kërkoi ndërprerjen e grevës.
"Nuk jemi në shkallën ku mund të bojokotojmë dhe masat e sigurisë."
Në Lushnje, ku gjykata e shkallës së parë po ashtu parashikohet të shkrihet, avokatët janë të ndarë edhe me njëri-tjetrin.
"Gjykata e Apelit se është në Vlorë, se është në Tiranë, nuk na prish punë. Për ne si qytet është kastrofike ikja e Gjykatës së Lushnjes."
Në Gjykatën e Durrësit, Beratit dhe Elbasanit këtë të hënë u rikthye normaliteti pasi avokatët ndërprenë bojkotin.
Qëndrimi në vijim do të koordinohet me Dhomën Kombëtare të drejtuar nga Maks Haxhia.
"Në varësi të diskutimeve dhe situatave që do të dalë në atë mbledhje në lidhje me VKM për Hartën e re Gjyqësore ne do të mbajmë qëndrimin tonë."
Harta e re gjyqësore parashikon 13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykata administrative dhe 1 gjykatë apeli për të gjithë vendin.
"Për interesa krejt personale por edhe politike të dëmtojë zona që historikisht kanë qenë me gjykata."
Avokatët dhe qytetarët thonë se kjo skemë cënon aksesin në drejtësi.
"Të shkoj në Tiranë për gjyq, ku të vete, njeri nuk kam."
"Janë kosto shumë të mëdha, si t'ia bëjmë?"
