Harta e re gjyqësore përçan avokatët. Në Vlorë e Shkodër pezullohen dhe masat e sigurisë, në Elbasan mbyllet bojkoti
Përçahen avokatët. Në qytete të ndryshme Dhomat e Avokatisë kanë marrë vendime të ndryshme.
Dhoma e Avokatisë në Vlorë dhe Shkodër do të përshkallëzojnë bojkotin në shenjë proteste për hartën e re gjyqësore.
Ata do të bojkotojnë jo vetëm seancat normale gjyqësore por dhe ato të masave të sigurisë .
Nga një përllogaritje në Vlorë nuk do të realizohen 275 procese gjyqësore gjatë kësaj jave.
Dhoma e Avokatisë e Vlorës thotë se të martën dhe të mërkurën do të bojkotojë edhe masat e sigurisë. Sipas të dhënave nga kancelaritë pranë gjykatave në Vlorë deri në këto memonte nuk ka të parashikuara masa sigurimi raporton Ora News
Ndërkohë 77 seanca gjyqësore bojkotohen sot në Shkodër. Edhe në këtë qytet Dhoma e Avokatisë ka marrë vendim që të martën dhe të mërkurën të bojkotojë masat e sigurisë.
E kundërta ndodh në Elbasan, Dhoma e Avokatisë e këtij qyteti vendosi ti japë fund bojkotit, raporton Ora News.
Sipas kryetarit Demir Çiftja vendimi erdhi pas mbledhjes së zhvilluar ditën e premte(17/06/2022) duke parë se qytetarët janë ata që po vuajnë pasojat e bojkotit të avokatëve në qytetin e Elbasanit.
"Sot jemi në pritje të një interpelance të Kryetarit të Dhomës së Avokatisë z. Maks Haxhia bashkë me përfaqësues të tjerë të Dhomës Kombëtare në Komisionin e Ligjeve. Në varësi të procesit, diskutimeve dhe situatave që do të dalin në atë interpelancën që do të bëjnë," tha ai.
Ai u shpreh se në lidhje me vendimin e Këshillit të Ministrave në lidhje me hartën e re gjyqësore ata do të kenë qëndrimin e tyre gjithmonë në mbështje me Dhomën Kombëtare të Avokatisë.
Në Korçë avokatët nuk do të marrin pjesë në seancat gjyqësore të proceseve penale, civile, administrative si dhe të gjitha llojet e veprimeve hetimore përgjatë kësaj jave por nuk do të bojkotojnë masat e sigurisë.
Në Lushnje bojkoti do të vazhdojë edhe për katër ditë. Nga ky bojkot përjshtohen vetëm masat e sigurisë. Nga 35 avokatët e qytetit, vetëm dy prej tyre e kundërshtojnë bojkotin.
Raportuan gazetarët e Ora News, Edi Ruçi ( Vlorë) Bepin Kolvata (Shkodër), Edisona Skënderaj (Elbasan).
