Greqia, Austria e Sllovenia: Të hapen negociatat për Shqipërinë
Ndërsa terreni në rajon është i mjegullt për shkak të vetos bullgare, Greqia, Sllovenia dhe Austria janë angazhuar në Këshillin e BE-së për Punët e Jashtme që të konfirmojnë nevojën për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Disa nga kryediplomatët e vendeve evropiane kanë bërë vrullin e fundit në mbështetje të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara samitit të vendeve anëtare të Këshillit të BE-së, i cili pritet të mbahet në 23 dhe 24 qershor.
Një nga temat për të cilat do të diskutonte në mbledhjen e Këshillit të Punëve të Jashtme, për Nikos Dendias, shefin e diplomacisë helene, ishte Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Dendias: Sot do të informoj Këshillin në Mesdheun juglindor, si edhe për vizitat e mia të fundit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përpjekjet tona për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Sllovenia është angazhuar për rajonin tonë në nivel qeveritar.
Ministrja e Jashtme sllovene dhe ish-raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon krahas vendeve të lindjes së kontinentit u shpreh se BE nuk duhet të çfokusohet nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Tanja Fajon: Sllovenia mbështet statusin kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, por Ballkani Perëndimor nuk duhet të harrohet në këtë proces, në mënyrë që politika e zgjerimit të BE-së të mbetet e besueshme. Dokumenti që Lubjana i ka dorëzuar 26 vendeve të tjera anëtare kërkon fillimin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, liberalizimin e vizave për Kosovën dhe dhënien e statusit kandidat për Bosnje-Hercegovinën.
Kryediplomati austriak, Aleksander Schallenberg ndien sikur Bashkimi Evropian po e humbet besimin e Ballkanit Perëndimor.
Shallenberg: Kam një ndjenjë sikur po e humbasim Ballkanin. Bëhet fjalë për besueshmërinë e BE-së në përparimin e vendeve të Evropës juglindore, të cilat morën një premtim nga unioni në Selanik 19 vjet më parë.
Ish-kancelari kritikoi edhe Serbinë, si dhe marrëveshjet tregtare që vendet e rajonit kanë lidhur me Kinën, Beogradi kryeson listën.
Shallenberg: Qëndrimi i Serbisë ndaj Bashkimit Evropian është më negativ se më parë. BE nuk është oborri i pasmë, është qendra. Nuk e kuptoj pse Kina po blen autostrada në rajon dhe ne po e shikojmë këtë. Ndonjëherë nuk e kuptoj logjikën tonë
Schallenberg vuri në dukje që BE duhet t’i japë statusin kandidat edhe Kosovës e Bosnje-Hercegovinës.
