Punishte kanabisi në Shkodër, organizatorët i shpëtojnë policisë

Gjashtë persona u arrestuan dhe 8 të tjerë janë shpallur në kërkim pas zbulimit të parcelave dhe një punishteje të Kanabisit në fshatin Vallas të Shkodrës. Prangave i shpëtuan edhe dy organizatorët e kësaj veprimtarie

Shkodër - Një punishte kanabisi u zbuluan në fshatin Vallas të Shkodrës, gati në kufi me Malin e Zi informoi sot policia e Shkodrës.

Pamjet tregojnë bimët narkotike në fazë tharje.

Banesa e 28 vjecarit Ardjan Tahirit, ishte kthyer në magazinë.

Aty u sekuestruan 246 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, ndërsa pranë saj u zbulua një parcelë e mbjellë me kanabis.

Gjashtë persona u vunë në pranga gjatë aksionit të policisë e prokurorisë së Shkodrës.

8 të tjerë që i shpëtuan arrestimit u shpallën në kërkim si të përfshirë në kultivimin, prodhimin dhe shitjen e narkotikëve.

Burimet thonë se Admir Selgjekaj, 34 vjec nga Bajza e Malësisë së Madhe është i dyshuar si organizator i kultivimit të drogës dhe rekrutues i punëtorëve të Hashashit.

Punëtorë hashashi dyshohet se rekrutonte edhe Arian Popa, 38 vjec, banorë i Shirokës.

12 personat e tjerë, mes të cilëve edhe dy gra sipas hetimit kishin role të ndryshme në veprimtarinë e kultivimit të kanabisit dhe më pas shitjen e drogës.

Policia thotë se sasia prej 246 kilogramësh kanabis u sekuestrua si provë materiale, ndërsa nuk e bën me dije numrin e bimëve ende në fazë rritje që u asgjësuan me djegie.

Gjatë operacionit u sekuestrua edhe një makinë dhe 11 telefona celularë, që përdoreshin nga kultivuesit e drogës.