SPAK, mbyll për të dytën herë dosjen e Brunilda Bekteshit. Kallëzuesit: Do kërkojmë rihetim, dosja e paplotë

Pak kohë pasi SPAK njoftoi nisjen e hetimeve ndaj komisioneres së Vetingut Etleda Çiftja, një tjetër prokuror i kësaj strukture ka pushuar hetimet për një padi të mëhershme ndaj anëtares së KPK. Jashtë afatit ligjor të vendosur nga gjykata, dosja është paraqitur para togave të zëza me propozimin për ty mbyllur pasi një ekspert kontabël ka vlerësuar pozitivisht pasurinë e komisioneres.

Tirane - Prokuroria e Posaçme SPAK, ka njoftuar se një prej prokurorëve të saj ka marrë të pandehur komisioneren Etleda Çiftja, ndërkohë që tjetër anëtar i kësaj strukture, ka çuar kërkesën në gjykatë për pushimin e dosjes penale kundër komisioneres së “Vettingut” Brunilda Bekteshi. 

Ajo rezulton e kallëzuar për “Falsifikim të dokumentave” dhe “fshehjes së pasurisë”.

Vendimi është marrë nga prokurori i SPAK, Dritan Prençi, i cili për një periudhë më shumë se 5 mujore ka kryer veprime hetimore për disa nga detyrat e caktuara nga gjykata e posaçme SPAK.

Por një nga detyrat e caktuara nga gjykata, ka qënë dhe pyetja e Brunilda dhe Helidon Bekteshit, gjë të cilën prokuroria nuk e ka kryer duke u mjaftuar me një “MEMO” të dërguar në SPAK më 20 Prill 2022, informon Ora News.

Një ndër pikat, ku prokuroria është bazuar për marrjen e vendimit të pushimit të dosjes, ka qënë dhe konkluzjoni financiar mbi pasurinë e Bekteshit, të kryer nga një ekspert kontabël.

Ky konkluzjon që nxjerr me bilanc pozitiv Brunilda Bekteshin, mësohet të jetë bërë shkak për pushimin e dosjes për herën e dytë.

Eksperti financiar, në raportin ekonomik, llogarit edhe pagat mujore të Bekteshit, gjatë kohës kur ajo ka shërbyer si komisionere pranë KPK-së, në një kohë kur kallëzimi, ka të bëjë me veprimet financiare dhe pasurinë, para se ajo të bëhej komisionere.

Ndryshe nga çfarë kishte caktuar gjykata një afat prej 4 muaj, prokuroria e ka mbajtur dosjen në hetim për 5 muaj duke vendosur sërish pushimin e dosjes ndaj komisioneres Bekteshi.

Të kontaktuar nga “Ora News”, dy kallëzuesit e kësaj çështje, Bujar Hoti dhe përfaqësuesi i shoqatës “Drejtësi për Drejtësi”, pohuan se do e kundërshtojnë sërisht kërkesën për pushimin e hetimeve.

Ndërsa avokati i tyre, Arben Llangozi, s’qaroi se sërisht prokuroria ka lënë hetimin të paplotë, duke mos përmbushur të gjitha detyrat e caktuara nga gjykata e Posaçme.

Ndaj Brunilda Bekteshit paraqitën kallëzim Penal, ish-prokurori Bujar Hoti dhe shoqata “Drejtësi për Drejtësi” të cilët i kërkuan kryeprokurorit të SPAK, Arben Kraja, të hetojë komisioneren në lidhje me një kontratë shitblerje apartamenti në vitin 2007, në shumën 3,100,000 lekë, me para në dorë.