Tirana braktiset në fundjavë, kryeqytetasit dynden drejt plazheve

Tashmë që sezoni veror ka filluar, e djela në kryeqytet nuk është aspak e zhurmshme, madje  duket sikur Tiranën e ka zënë gjumi.

Pamjet e rrugëve  të boshatisura ditën e sotme në kryeqytet vërehen qartë.

Trafiku i rënduar dhe i përhershëm gjatë javës mungon. Teksa temperaturat shënojnë 30 gradë celcius njerëzit kanë zgjedhur të qëndrojnë brenda ose të largohen për të frekuentuar plazhet e pishinat.

Lokalet e boshatisura flasin edhe më shumë për gjumin letargjik që e ka zënë Tiranën. Edhe në një ndër zonat me qarkullimin më të lartë si Rruga e Elbasanit, ka rënë qetësia.

Duket sikur java që lamë pas e ka lodhur mjaftueshëm kryeqytetin, por kjo nuk zgjat shumë, të paktën deri në orët e pasdites kur qindra makina kthehen sërisht në Tiranë.