Ksamilit i mungojnë ukrainasit, lufta në lindje po jep efekte negative edhe në turizmin shqiptar

Ksamilit këtë vetë do t`i mungojnë pushuesit nga Ukraina. Vitet e shkuara ata përbënin 30% të turistëve por lufta duket se do t`i pengojë të vizitojnë Shqipërinë. Operatorët turistikë thonë se sezoni i këtij viti për shkak të luftës dhe çmimeve do të jetë larg pritshmërive.

Konflikti i armatosur ne Ukrainë po jep efektet e tij negative edhe në turizmin shqiptar.

Në Ksamil çdo verë 30% e pushuesve janë ukrainas, por  këtë vit po mungojnë.

Administratori i një prej hoteleve në Ksamil Albert Sula thotë se këtë verë shumë të paktë janë turistët nga Ukraina.

“Sa i përket pushuesve ukrainas janë shumë të paktë këtë vit. Ne dëshirojmë që të ndalojë lufta atje, le të bëhemi më të varfër.”

Në mungesë të tyre, rezervimet dhe vizitorët e deri tanishëm janë perëndimor, por që këtë herë duken më dorështrënguar.

Ksamili ka hapur subjektet turistike që në fund të prillit, por sipas Sulës xhirot e gjeneruara zor se arrijnë të përballojnë shpenzimet dhe rrogat.

“Për momentin jemi në një nivel për të përballuar shpenzimet dhe punëtorët që kemi.”

Zakonisht në këtë periudhe muajit korrik dhe gusht janë të mbyllur, por hotelet kanë vetëm 50% të kuotave të rezervuara.

“Me rezervimet nuk jemi në nivelet që prisnim. Kemi për gushtin dhe korrikun, por nuk janë në nivelet që mendonim.”

Operatorët turistik në Ksamil i kishin pritshmëritë të larta këtë verë pavarësisht zhgënjimit që solli qershori shpresojnë që korriku e gushti të jenë më të mbarë.