Ankthi tek të rinjtë, sociologia: Stili i jetesës faktor kyç, virtuale më shumë se sa sociale
Ankthi tek të rinjtë sa vjen e po bëhet një fenomen edhe më i përhapur. Sociologia Entela Binjaku shpjegon arsyet e shtimit të personave, të cilët vuajnë nga ankthi apo probleme të tjera të shëndetit mendor, teksa jep këshilla për të menaxhuar këtë problematikë.
Problemet me ankthin po kthehen në një fenomen shumë të përhapur si tek adoleshentët, edhe tek të rinjtë në moshë më të rritur.
Me ndryshimin e temperaturave ka gjithashtu një numër më të lartë të njerëzve me këto shqetësime apo probleme të tjera të shëndetit mendor.
“Në shoqërinë tonë ekziston gjithmonë një argument i lidhur me kohë. Ritmi i disa njerëzve sidomos kur temperaturat janë të larta është shumë më i lartë.”
Sociologia Entela Binjaku sqaron edhe arsyet e shfaqjes së tyre.
“një komponent i rëndësishëm lidhur me stilin jetës virtuale dhe post-pandeminë.”
Një rol të rëndësishëm zë sigurisht familja.
“Familjes shqiptare i bien mbi shpatulla shumë detyra, sepse duhet të kishte institucione që mungojnë në vend.”
Prandaj sipas Binjakut është e rëndësishme ndërhyrja e institucioneve.
“Institucionet duhet të marrin në konsideratë ofrimin e shërbimeve psikologjike edhe pranë qendrave konsultore.”
E për të parandaluar zhvillimin e këtij fenomeni duhet ndërhyrë që në moshat më të hershme duke rritur numrin e psikologëve në shkolla.
Binjaku jep këshilla se si mund të menaxhohen këto shqetësime.
“Një nga pikat e forta për t’i dalë mbarë problemeve të shëndetit mendor dhe ankthit është komunikimi.”