Kriza globale, Balla: Çmimi i grurit është dyfishuar, nga 260 lekë, sot është 500
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla pranon se çmimi i grurit në vend është dyfishuar. Dhe sipas tij shkak është bërë kriza globale që shkaktoi lufta në Ukrainë. Ndërkaq lidhur me reformën territoriale Balla mendon se 61 bashki siç janë sot janë të mjaftueshme. Duke folur nga Fieri, ai kujtoi se reforma territoriale është bërë në 2014 dhe duhet të kalojë më shumë kohë për tu riparë numri i bashkive.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në një takim me fermerë në Fier ka folur për krizën ekonomike dhe rritjen e çmimeve, kryesisht të grurit, që ka shtrenjtuar asisoj edhe çmimin e bukës në furra.
Balla tha se beson që i gjithë prodhimi i këtij viti do të shitet dhe për më tepër me çmim më të lartë.
Balla: Këtë vit çmimi i shitjes së grurit do të jetë mbi 50 lekë, që do të thotë se është një çmim dyfish më i larët se viti i kaluar. Besoj se gjithë prodhimi vendas do të shitet dhe do të shitet me një çmim më të larët.
Lidhur me debatin për reformën territoriale, kreu i ligjvënësve socialistë shprehet se numri i bashkive nuk duhet të ndryshojë.
Balla: Objektivi ynë për reformë është si të përmirësojmë shërbimet e qytetarëve. Historia se ata duan 100 dhe ne duam 36, 61 jemi mirë besoj unë, nuk besoj që ka nevojë.
Socialistët dhe demokratët janë ulur në tryezën e reformës territoriale me dy objektiva të ndryshme. Opozita kërkon rritjen e numrit të bashkive me argumentin që shërbimet të jenë më afër me qytetarët, ndërsa mazhoranca mendon të kundërtën, që numri i tyre duhet ulur.
Ndërsa nuk kanë rënë dakord për bashkitë, palët politike janë në një mendje për shkrirjen e qarqeve dhe ndarjen e vendit në rajone.

