Shqipëria ende me qese plastike, ligji nuk gjen zbatim në kryeqytet, në qarkullim edhe qeset e vjetra
Në tregjet e kryeqytetit qeset e vjetra plastike që ndalohen me ligj vijojnë të jenë në qarkullim. Nismën e qeverisë ekspertët e mjedisit e përshëndesin por thonë se problemi i mbetjeve zgjidhet vetëm përmes menaxhimit.
Ligji për ndalimin e qeseve plastike nuk po zbatohet.
Këto qese duhet te ishin ndaluar me ligj që prej datës 1 qershor por nga një vëzhgim në kryeqytet ato përdoren ende.
Në tregun e Pazarit të Ri qeset e vjetra, njëpërdorimshme janë ende në qarkullim.
Tregtarët i përdorin kryesisht për klientët që blejnë në sasi të vogla fruta apo perime.
Krahas tyre në qarkullim janë edhe qeset e lejuara, të trasha e që mbajnë deri në 10 kg. Por ato kushtojnë nga 10 deri në 25 lekë.
Qeset plastike janë një ndër ndotësit kryesor te mjedisit. Nismën për reduktimin e tyre ekspertët e përshëndesin por thonë se nuk mjafton.
“E mirë vjen nga kjo nismë për sa kohë ndihmon në reduktimin e plastikës.”
Olsi Nika, President i Eco Albania thotë se problemi i mbetjeve në Shqipëri mund të zgjidhet vetëm përmes menaxhimit, proces që ka ngecur.
“Ka 20 vite që nuk menaxhohen mbetjet, sepse nuk ka pasur zbatim.”
Por përveç ligjeve e nismave nga qeveria mbrojtësit më të mëdhenj të mjedisit ku jetojnë duhet të jenë vetë qytetarët.
“Të refuzojnë qeset njëpërdorimshme dhe të nxiten të marrin qeset shumëpërdorimsheme.”
Ligji për ndalimin e qeseve që hyri në fuqi në 1 qershor të këtij viti parashikon gjoba që variojnë nga 30 mijë deri në 1.5 mln lekë për personat që i prodhojnë, i hedhin në qarkullim si dhe për qytetarët që i përdorin.
