Reforma zgjedhore dhe territoriale impaktojnë njëra-tjetrën, Kume: Zgjedhjet zhvillohen njësoj si me 60 Bashki, si me 100

Kristaq Kume ish kreu i KQZ gjatë një interviste për Ora News teksa foli për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale tregoi nëse këto reforma influencohen nga njëra tjetra në ecurinë e tyre.

Kristaq Kume: Reforma Zgjedhore dhe Reforma Territoriale në zhvillimin e tyre si procese legjislative nuk kanë prerje, në kuptimin që nëse nuk ecet në njërën reformë nuk mund të ecet dhe në tjetrën. Në rezultat, afekton rezultatin dhe rezultati është pushteti i nesërm.

Sipas tij e rëndësishme është që vendimmarrja për atë çfarë do të bëhet me hartën territoriale administrative të konsiderohet vetëm si fillimi i punës.

Kristaq Kume: Procesi zgjedhor zhvillohet njësoj si të kesh 60 Bashki si të kesh 50 ose 100 Bashki dhe për rrjedhojë për mua ka rëndësi që vendimmarrja për atë çfarë do të bëhet me hartën territoriale administrative të konsiderohet vetëm si fillimi i punës për rregullimin e problemeve me të cilat është ndeshur sot pushteti vendor në vendin tonë. Kjo mund të kushtëzojë atë çfarë mund të bëhet dhe duhet të bëhet në legjislacionin zgjedhor.

"Duke ju referuar zgjedhjeve të ardhshme për organet e qeverisjes vendore është e domosdoshme që Komisioni për Reformën Zgjedhore të trajtojë një problem shumë të rëndësishëm me të cilin është ndeshur produkti, dhe ka treguar se ky produkt i dalë është problematik për cilësi sa më të lartë të përfaqësisë parlamentare", u shpreh Kume.

Sipas tij për të përmirësuar cilësinë e përfaqësimit të qytetarëve duhet të ndërhyhet në ligjin zgjedhor duke ndryshuar dispozitat sipas të cilit votohet për kryetarët.